
Ka marrë fund kërkimi për një vajzë të mitur nga Podujeva, e cila ishte raportuar e zhdukur nga familja në orët e hershme të 21 gushtit.
Sinjali mëson se e mitura, e lindur në vitin 2014, është kthyer në shtëpi shëndoshë e mirë rreth orës 18:15, ndërsa më pas është kontaktuar nga Policia në praninë edhe të një punonjësi të Qendrës për Punë Sociale.
Rasti ishte raportuar në Polici rreth orës 06:15 nga babai i saj, pasi familja nuk dinte se ku ndodhej vajza.
Sipas informacioneve të Sinjalit, pas raportimit ishte njoftuar Prokurorja kujdestare e Departamentit për të Mitur dhe rasti ishte iniciuar si “Person i zhdukur”.
Por pasditen e së njëjtës ditë erdhi lajmi që priste familja.
Rreth orës 18:15, babai ka njoftuar Policinë se vajza ishte kthyer në shtëpi.
Zyrtarët policorë, së bashku me një punonjës të Qendrës për Punë Sociale, kanë shkuar më pas në shtëpinë e familjes për të sqaruar rrethanat e largimit.
Sipas deklarimit të së miturës, ajo ishte larguar nga shtëpia rreth orës 02:00, pasi prindërit nuk e kishin lejuar të dilte me shoqëri.
Ajo ka deklaruar se ishte takuar me një shok dhe se së bashku kishin shkuar në një shtëpi në fshatin Gllamnik, ku kishte qëndruar gjatë kohës që familja po e kërkonte.
E mitura ka deklaruar gjithashtu se gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë nuk ishte keqtrajtuar nga askush.
Për zhvillimet e reja është njoftuar sërish Prokurorja kujdestare e Departamentit për të Mitur, ndërsa rrethanat e rastit vazhdojnë të hetohen.
Për shkak se bëhet fjalë për një fëmijë, Sinjali nuk do të publikojë identitetin apo hollësi të tjera që mund të çojnë në identifikimin e saj.