Lajm i mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kosova ua lehtëson procedurat për leje qëndrimi

15:03 | 03 September 2019

Kosova ua lehtëson procedurat për leje qëndrimi shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka marrë vendim për lehtësimin e procedurave për leje qëndrimin e shtetasve të huaj, shkruan Gazeta Express.

MPB-ja njofton se ministri në detyrë, Ekrem Mustafa, ka nënshkruar udhëzimin administrativ lidhur me këtë vendim.

“Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, ka nënshkruar udhëzimin administrativ për Procedurën dhe Kriteret e Lëshimit të Lejes së Qëndrimit për të Huajt. Ky vendim do të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes së qëndrimit në Republikën e Kosovës për shtetasit e huaj që jetojnë në Kosovë. Me anë të këtij vendimi, këta qytetarë nuk do të aplikojnë çdo vit, siç kanë bërë deri më tani, por vetëm një herë në pesë vite”, thuhet në komunikatë.

MPB-ja njofton se ky vendim do t’ua lehtësojë qytetarëve të Luginës së Preshevës që të pajisen me leje qëndrimi.

“Ky vendim do të u lehtësoj edhe qytetarëve nga Lugina e Preshevës që të pajisen me leje qëndrimi. Ministri Mustafa zotohet se do të vazhdoj përkushtimin e tij që të gjithë shtetasit e huaj pa dallim mund të aplikojnë dhe të pajisen me leje qëndrim përmes plotësimit të kritereve që janë përcaktuar më këtë Udhëzim Administrativ”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Komento: