Lajm i mirë: Rritet efikasiteti i vaksinës së “Pfizerit” në 95%, kërkon autorizim për përdorim emergjent

13:53 | 18 Nëntor 2020

Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtës, mirëpo lajmi i mirë është se edhe vaksina anti-covid po jep rezultate të mira.

“Pfizer” ka njoftuar të mërkurën se rezultatet finale nga faza e fundit e testimit të vaksinës së vet kundër COVID-19 ka treguar rezultate efektive prej 95 për qind. Kompania ka shtuar se do të aplikojë për autorizim për përdorim emergjent për pak ditë.

Sipas të dhënave të sigurisë për dy muaj, vaksina e prodhuesit të njohur, që ka bashkëpunuar me partnerin gjerman “BioNTech”, ka nxjerrë rezultate efikase në të gjitha moshat dhe te të gjitha grupet etnike, s’ka pasur asnjë efekt të madh anësor.

Kompania ka thënë se kjo nënkupton që imunizimi mund të funksionojë në gjithë botën.

Efikasiteti te të moshuarit, mbi 65-vjeç, si grupacion më i rrezikuar nga virusi, ishte mbi 94 për qind.

Analizat finale dalin vetëm një javë pas rezultateve fillestare të testimeve që tregonin se vaksina ishte më shumë se 90 për qind efikase.

Edhe kompania tjetër e njohur, “Moderna” të hënën publikoi rezultate me efikasitet të ngjashëm të vaksinës.

Rezultatet më të mira se pritjet për dy vaksinat kanë rritur shpresën se pandemisë, që ka marrë jetën e më shumë se 1.3 milionë njerëzve në botë, po i vjen fundi.

Megjithatë, do të duhen disa muaj para se shitja e tyre të bëhet në gjithë botën. Fillimisht pritet që të kenë prioritet ekipet shëndetësore në SHBA.

Komento: