Lajm i rëndë, 16 vjeҫarja i merr vetës jetën, dalin detaje nga rasti

19:32 | 18 February 2019

Një ngjarje mjaftë e rëndë ka ndodhur me 14 shkurt në Divjakë.

Një vajzë vetëm 16 vjeçe, i dha fund jetës së saj duke u vetëhelmuar. Arsyet adoleshentja i morri me vete duke lënë të tronditur të gjithë. Ndërsa nxënësit e klasës së saj nuk mundet të bëjnë dot më mësim në ambientet e mëparshme.

Familja Murrizi ka hapur dyert pas ndarjes nga jeta të vajzës së tyre. Justina Murrizi, 16 vjeçarja fëmija i dytë i familjes, u vetëhelmua me fotoksinë mbrëmjen e së martës.

1 orë pasi e kishte pirë, vajza është paraqitur në Poliklinikën e Divjakës në gjendje të vetëdijshme por të rëndë, pasi mjeku nuk ka mundur t’I masë pulsin dhe tensionin.

“Erdhi në datën 12, e zbardhur mund të themi. Kur në fraksionin e sekondës mendon çfarë do t’i bësh dhe kur ne i bënim injeksione ajo thoshte më lini, nuk dua të jetoj”, tha mjeku i poliklinikës Divjakë, Dritan Jani.

-U tha në ndonjë moment arsye, pse?

“Jo absolutisht. Të afërmit që e shoqëronin prindërit e saj, thoshin pse ajo gocë kështu sepse ishte vajzë që i plotësoheshin të gjitha kërkesat, vajzë që përqafohej me babain çdo ditë”, tregon mjeku i poliklinikës Divjakë, Dritan Jani.

Në shkollën e mesme ku ndiqte mësimet Justina mbizotëron heshtja dhe pikëpyetjet. Asnjë nuk ka përgjigje për pyetjen ‘Pse’ ndodhi.

Në klasën XI-1 nuk zhvillohet më mësim. Shokët e 16 vjeçares kanë ndryshuar klasën, pas mungesës së saj.

“Ne vajzat i kemi të gjitha të mira, por Justina ishte dhe nxënëse shumë e mirë, vajzë e sjellshme. Fjalët më të mira të mundshme kam për Justinën dhe jam shumë e hidhëruar që s’është më mes nesh. Ka qenë në shkollë ditën e fundit dhe është larguar bashkë me shoqet”, tregon drejtoresha e gjimnazit “Miti Zoi Zaka”, Ana Nako.

Orën e fundit mësimore e kaloi me shokun, njëkohësisht kushëririn e saj, që tregon për Top Channel se s’kishte asnjë lloj dyshimi se Justina do t’i bënte keq vetes pasi të ndaheshin nga njëri tjetri. Për të gjithë, 16 vjeçarja nuk shfaqej e shqetësuar dhe dëshira e saj për të shpëtuar jetët e të tjerëve si mjeke, u shua me vendimin tragjik që mori në momente dobësie.

Po pse ndodhi?

“Nuk e di, ditën e hënë ka qenë sëmurë dhe mori leje, kemi ikur bashkë në shtëpi, vetëm kur e marrim vesh. Nuk e di, na ka lënë pa fjalë”, tregon kushëriri i saj.

“Kemi qenë shoqe shumë të mira. Nuk më tregonte asgjë, ishim shoqe klase po nuk tregonte”, tha shoqja e saj.

Komento: