Lajm i rëndësishëm për studentët, do të pezullohen këto drejtime në universitete

10:43 | 02 January 2019

Arsimi në Kosovë, nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm.

Shumë të rinj kosovar edhe pas përfundimit të studimeve nuk po arrijnë të punësohen. Madje shumë prej tyre edhe pas gjetjes së një vendi pune, nuk punojnë në atë drejtim që janë profilizuar.

Ky fakt po e brengos edhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ai e ka quajtur shqetësuese faktin që të rinjtë nuk mund të punësohen për atë për të cilën kanë marrë përgatitje profesionale.

Ai thotë se në të ardhmen disa drejtime universitare mund të pezullojnë punën për shkak se tregu kosovar nuk ofron punë për përgatitje të tilla.

“Shqetësimi mund të rritet dhe është evident kur bëhet analiza të shihen se kemi të rinj dhe të reja që edhe përkundër përgatitjes profesionale, universitare, nuk kanë arrit të gjejnë asnjë ditë të vetme punë në profesionin për të cilin ata janë edukuar dhe arsimuar. Këtu është ai, unë mendoj, ajo që nuk ka funksionuar në të kaluarën. Them këtë sepse në takimet e rregullta me bizneset ndodhë që bizneset kanë vështirësi të mëdha dhe ankohen tek ne që nuk ka kuadro profesionale çfarë ata kanë nevojë. Diçka nuk është duke funksionuar në këtë vend dhe historiku është bukur i gjatë”, tha Reçica.

Sipas Reçicës, gjithë kjo problematikë ka ardhur për shkak të orientimit të keq të të rinjve në arsim.

Ai tregoi se janë duke bërë përpjekje që në të ardhmen të dalin me rekomandime konkrete që të rinjtë e të rejat t’i orientohen për tu aftësuar, për të studiuar mbi bazë të nevojës së tregut të punës.

“Ndoshta do të merret vendimi që në disa fusha të mos ketë studime për një periudhë të caktuar, sepse ne kot mund të provojmë të nxjerrim kuadro kur nuk ka treg pune”, u shpreh ai, raporton EO.

Ai ka thënë se krahas 100 mijë punëkërkuesve të regjistruar këtë vit, dhe trajtimit që 11 mijë prej tyre nga kjo ministri, 6000 janë punësuar ndërsa 5000 të tjera janë trajnuar profesionalisht.
“Në zyrat e punësimit, afërsisht kemi rreth 100 mijë punëkërkues të regjistruar, numër ky që lëvizë sepse po të shikohen statistikat brenda këtij viti ne kemi trajtuar mbi 11 mijë punëkërkues, prej tyre rreth 6000 janë në punësim, rreth 5000 mijë janë të aftësuar apo të trajnuar profesionalisht, të cilët pjesa dërrmuese e tyre pas aftësimit, trajnimit arrijnë që brenda periudhës kohore prej 90 dite që e marrin trajnimin fillestar arrijnë të gjejnë punë”, tha ai .

Reçica, ka thënë se që nga marrja e mandatit nuk kanë pasur vonesa sa i përket paraqitjes së rasteve për statutin e viktimave të dhunës seksuale të luftës.

“Deri në këto momente komisioni ka trajtuar rreth 900 aplikacione dhe është në procedurë të shqyrtimeve edhe të aplikacioneve të tjera dhe faktet flasin që diku mbi 173 aplikacione të cilat kanë rezultuar që kanë plotësuar kriteret e parapara dhe kanë filluar të gëzojnë të drejtën e kompensimit. Unë mendoj që nuk është qëllimi që këto kategori të gëzojnë një të drejtë të përfitimit sepse dhuna, tortura, ato që kanë përjetuar këto kategori nuk ka kompensim që mund t’i shpaguaj”, tha Reçica.

Sa i përket vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës, ministri ka thënë se niveli i sigurisë në vendpunishte ende nuk është në atë të duhurin.

“Ne do të punojmë fuqishëm që të drejtat e punëtorëve, kriteret për siguri dhe shëndetin në punë, respektimin e orarit të punës dhe çështjet e tjera që janë të rregulluara me ligjin e punës, të bëhen realitet për qytetarët tanë. Në projeksionet buxhetore, si ministri kemi planifikuar dhe kemi futur në projeksionet buxhetore për rekrutimet me 15 inspektorë të rinj. Kontingjentit aktual të inspektorëve do t’i shtohen edhe 15 në vitin e ardhshëm dhe unë mendoj se do të kemi mundësi edhe më shumë se 15 inspektorë”, tha Reçica.

Ai ka thënë se e rëndësishme duhet të jetë ngritja e mëtutjeshme e vetëdijes së kompanive.

Ndarjen buxhetore prej 457 milionë euro për skema sociale, nga totali i buxhetit për MPMS me 465 milionë euro, e ka quajtur të lartë, megjithatë thotë se nuk ka një sistem të mirëfilltë të sigurimeve sociale.

“Kosova nuk ka një sistem të mirëfilltë të pensionit, madje edhe 20 vjet gati pas luftës, ne si vend nuk kemi arritur që ta krijojmë një sistem të plotë të sigurimeve sociale, që unë mendoj dhe faktet flasin se sigurimi i plotë social është baza, bërthama, korniza e politikave sociale të një vendi ku mëtohet të ketë drejtësi sociale, ku mëtohet që drejtësia sociale të jetë parësore për atë vend”, tha ai.

Ai tha se ka shumë sfida dhe probleme që burojnë për shkak të koalicionit, për shkak të kundërshtive mes ligjeve mes vete.

Ministri e ka vlerësuar të padrejtë ndarjen pensionale për njerëzit të cilët janë të detyruar të marrin vetëm një pension, ndërsa ka thënë se nuk ka më asnjë qytetar që merr pensione të dyfishta.

“Unë mendoj që këto kanë qenë gabime në atë kohë kur është hartuar ligji, i ka quajtur pensionin e familjeve të dëshmorëve. Nuk është dashtë të emërtohet pension, ka vendosë shteti t’i mbështesë këto familje të cilat kanë dhënë më të dashurit e tyre për lirinë e sotme, por mos ta quajmë pension, mbështetje nga shteti për kontributin që kanë dhënë”, thotë tutje ai,

Krahas 38 mijë veteranëve të luftës të cilët marrin pensione, Reçica tha se buxheti është planifikuar për këtë kategori, ndërsa ka thënë se janë kategoria më e shenjtë dhe si të tillë është shprehur i gatshëm që çdo herë tu përgjigjet obligimeve ndaj tyre.

Komento: