Holanda i kërkon zyrtarisht BE-së pezullim të lëvizjes pa viza për shqiptarët.
Holanda ju drejtua sot zyrtarisht Komisionit Evropian për të kërkuar aktivizimin e mekanizimit për pezullimin e regjimit të lëvizjes pa viza për qytetarët shqiptarë.
Kërkesa e bërë nga përfaqësuesi i Përhershëm i Holandës pranë Bashkimit Evropian, Robert de Groot, është reflektim i vendimit të marrë në muajin prill nga parlamenti holandez për këtë çështje, ku në favor të propozimit për t’ju drejtuar Komisionit Evropian votuan 92 deputetë nga 150 anëtarë të Dhomës së Ulët.
Sipas letrës, drejtuar Komisionerit për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopoulos, arsyet e kërkesës lidhen me rritjen e kriminalitetit shqiptar në Holandë, rritjen e numrit të shqiptarëve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme atje si dhe të kërkesave për azil.
“Në vitet e fundit problemet me qytetarët shqiptarë kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve holandezë. Shtetasit nga Shqipëria luajnë një rol domethënës në krimin e organizuar në qytetet si Amsterdam dhe Roterdam, apo dhe në krahina të tjera të vendit”, thekson letra në të cilën vihet gjithashtu në dukje se “ka një numër në rritje të emigrantëve klandestinë që vijnë nga Shqipëria, më së shumti djem të rinj të cilët duan të nisin një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, duke përdorur portet e Holandës si trampolinë.
“Edhe numri i kërkesave për azil nga ana e qytetarëve shqiptarë ka mbetur i lartë në mënyrë konstante”, shkruan Përfaqësuesi në Bashkimin Evropian, sipas të cilit “këto rrethana po minojnë mbështetjen publike të qytetarëve Holandezë ndaj liberalizimit të vizave në përgjithësi dhe në veçanti ndaj liberalizmit të vizave për qytetarët shqiptarë”, raporton Zëri i Amerikës.
Sipas autoriteteve holandeze, në situatën e krijuar, ekzistojnë kushtet e parashikuara sipas neneve të rregullores së BE-së që vënë në lëvizje mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë pa viza si “rreziku dhe kërcënimi i rritur për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të Shteteve anëtare” apo “rritja e numrit të qytetarëve nga vendet e treta të cilëve u është refuzuar hyrja apo qëndrimi në territorin e Shtetit anëtar” dhe “rritja e ndjeshme e numrit të kërkesave për azil nga qytetarët e vendeve për të cilat ka një përqindje të ulët të pranimit të këtyre kërkesave”.
Sipas të dhënave që Përfaqësuesi i Përhershëm i Holandës ka paraqitur në letrën drejtuar Komisionit Evropian, numri i qytetarëve shqiptarë të cilët janë kapur ndërsa qëndrojnë ilegalisht ka shkuar në 945 persona në 2018 nga 395 në 2017, 370 në 2016 dhe 155 në 2015.
Ndërsa numri i shqiptarëve të cilëve ju është refuzuar hyrja, në 2018 ka qenë 245 persona, në rënie në krahasim me 285 në 2017, por në rritje në krahasim me 200 persona në 2016 dhe 185 në 2015. Të dhënat për kërkesat për azil ndryshojnë nga viti në vit.
Në 2015 janë regjistruar 1005 të tilla, duke shkuar në 1665 një vit më pas, për të rënë në 365 në 2017 e duke u rritur në 550 kërkesa në 2018.
Në letrën e tij, De Groot shpjegon se “Shqipëria dhe Holanda po punojnë së bashku për të luftuar krimin e organizuar nga ana e qytetarëve shqiptarë në Holandë”, duke vënë në dukje marrëveshjen e arritur mes ministrit holandez të Drejtësisë dhe Migracionit me homologët e tij shqiptarë në maj të 2018.
“Ndonëse bashkëpunimi mes autoriteteve të policisë, autoriteteve gjyqësore dhe të migracionit është rritur, ka ende hapësira për përmirësim. Bashkëpunimi nuk ka sjellë deri tani suksese konkrete në terren”, shkruan De Groot, duke shtuar se pas një takimi mes ministrave të Brendshëm të të dy vendeve në mars të këtij viti, “më 23 maj 2019, policisë holandeze ju dhanë informacione mbi subjekte dhe grupe të krimit të organizuar shqiptar. Këto informacione do të jenë në qendër të një takimi në nivel ekspertësh të sigurisë nga të dy vendet, gjatë verës”.
Në muajin prill, kur u mor vendimi nga parlamenti holandez, ministria e Jashtme shqiptare shpjegoi se “një shtet anëtar i BE-së mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE-së dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë”.
Deklarata theksonte më tej se “duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare”, Ministria ishte “besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë”, duke nënvizuar se sipas saj “migracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë drejt Holandës ka rënë vazhdimisht, ndërkohë që pezullimi aplikohet në rast rritje mbi 50%. Shifrat e krimit shënojnë gjithashtu ulje përmbajtësore.
Po ashtu, edhe kriteri i fundit që ka të bëjë me bashkëpunimin mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve janë cilësuar të shkëlqyera qoftë nga zyrtarët shqiptarë, qoftë nga ata Holandezë”, vinte në dukje ministria e Jashtme sipas së cilës vendimi ishte ndikuar dhe nga klima për zgjedhjet evropiane të majit.
Dhjetë ditë më parë, në Tiranë, Komisioneri Avramopoulos shpjegoi se me marrjen e kërkesës nga një vend anëtar, Komisioni Evropian bën “një analizë të kujdesshme të faktit nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo, në përputhje me procedurat dhe në përputhje me të dhënat dhe informacionin e disponueshëm që ka të bëjë me rrethana specifike të vendit X”.
Kërkesa e sotme drejtuar Komisionit Evropian, vjen në një moment kur Shqipëria pret të marrë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, dhe një lëvizje e tillë, mund të paralajmërojë një qëndrim negativ nga ana e Holandës në Këshillin Evropian, të 18 qershorit, ku vendimi duhet të jetë unanim.