Lajmërohet Molliqaj pas koalicionit me AAK-në: Do të qeverisim, do t’i dalim përballë krimit e korrupsionit

17:00 | 19 August 2019

Molliqaj pas koalicionit me AAK-në, thotë se do të qeverisin, do t’i dalin përballë krimit e korrupsionit.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me AAK-në, ka shkruar se partia e tij bënë pjesë te ata që e ndalën PDK-në e planet e Hashim Thaçit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj thotë se së bashku me tash partnerët e koalicionit e ndalën Serbinë e Listën Serbe, Zajednicën e shkëmbimin e territoreve, derisa Molliqaj përmendi edhe taksën.

“Përderisa ata me inatin e tyre u morën dy vite vetëm me ne dhe ndiqnin lepuj rrugëve të Prishtinës, ne shtynim përpara politika që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve. Shkarkuam Rikallon. Ngritëm pagën minimale. E ndaluam dialogun e Thaçit për territorin e Kosovës. Filluam reformën për pensione.

Për këto ideale u angazhova në politikë, dhe këtyre idealeve do t’iu qëndroj besnik.

Ne besojmë në të njëjtat gjëra që kishim besuar gjithmonë: Kosovën sovrane, me ushtri dhe krenare përballë Serbisë; Kosovën pa PDK-në në pushtet, pa krim e korrupsion, me barazi sociale e zhvillim ekonomik. Ata nuk besojnë më në koncepte. Besojnë vetëm në një njeri. Një njëri që ka mbetur i vetëm, i rrethuar nga komandantë të PDK-së në njërën anë, e enveristë të PDK-së në anën tjetër”, thotë Molliqaj.

Tutje, sipas Molliqaj sot është krijuar koalicion i ndryshimit që e ka të sigurtë fitoren.

“Sot krijuam koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt. Koalicionin që do të qeveris dhe Kosovën do ta pozicionojë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyejmë edhe më tej këto politika. Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitorës së madhe”, ka shkruar ai.

Komento: