Polici Izet Demaj, ka humbur dje jetën në detyrë përderisa po tentonte të parandalojë një grabitje në një bankë në Istog.
Afërdita Demaj, motra e policit që u vra të enjten në Istog, në një reagim në profilin e saj në facebook, ka njoftuar se dikush është munduar t’ia keqpërdor emrin e saj dhe të shkruaj mesazhe përçarëse për krerët e shtetit.
“Unë motra e vetme e Izet Demaj, Afërdita Demaj. Të nderuar vëllezër gjithkah kah jeni, të nderuara media të Kosovë, sapo kuptova që më është keqpërdorur afërsia ime me vëllain tim dhe në emër timin kanë shkuar mesazhe përçarës për udhëheqësit tanë”, ka shkruar Afërdita.
Ajo ndër të tjera ka falendëruar të gjithë ata që po i përkrahin në këto momente të vështira për familjen.
“Në gjithë këtë dhembje që po e përjetoj, ju falënderoj të gjithëve që na rrini afër dhe dërgoni mesazhe mbështetëse dhe inkurajuese”, ka shtuar ajo.
“Unë ndjehem krenare që pata një vëlla që i doli zot atdheut kur pati nevojë dhe këtë e dëshmoi edhe dje se Kosova ka shtet dhe forca mbrojtëse. Ju lus që ta kuptoni drejt se vëllau im ra në mbrojtje të së drejtës dhe sigurisë, askush në botë s’ka të drejtë që të mbjell përqarje dhe urrejtje në emër të tij. Ai e dashti këtë shtet me të mira e të këqijat që ka, për ta çrrënjose të keqen u flijua. Lavdi dhe falendërim për të gjithë ju që na qëndroni afër dhe kuptoni dhimbjen për Izetin tonë”, ka përfunduar motra e policit tashmë të ndjerë.
Izet Demaj ka humbur jetën të enjten në Spitalin Rajonal të Pejës, pas plagëve të marra.