Arben Vitia jep dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.
Arben Vitia ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë, shkruan Gazeta Express.
Për këtë vendim ka njoftuar vet ai përmes një konference për media, nga objekti i Qeverisë së Kosovës.
“Mua mu dha besimi nga kryeministri Kurti dhe pata privilegjin që të shërbejë me të gjithë fuqinë që disponojë popullit të cilit i përkas në një kohë të vështirë, të dhimbshme dhe me sakrifica. Ju jam mirënjohës përjetë për besimin e dhënë dhe mbështetjen e dhënë. Të nderuar qytetarë. Besoj fuqishëm që së bashku do ta kalojmë këtë test nëse të gjithë e konsiderojmë këtë si sukses tonë”, ka thënë ai.
Me tutje, Vitia ka njoftuar edhe për arsyet e dorëheqjes.
“Më lejoni që të ju njoftojë për një vendim që e kam marrë në bashkërendime me kryeministrin Kurti dhe me LVV-në. Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më ka ngarkuar kryeministri Kurt i që do t’i jem mirënjohës jo vetëm për besimin por edhe për mbështetjen”, ka thënë Vitia.
Vitia foli edhe për gjendjen pandemike në Kosovë.
“Sot jam i lumtur që para jush mund të them se vala e katërt e pandemisë e dominuar nga varianti Delta për momenti është vënë nën kontroll. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë ne”, ka thënë ai.
Vitia është kandidat për kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën.