Sot ka pasur një dorëheqja nga NISMA.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të partisë NISMA Socialdemokrate, njëherësh edhe anëtarë i kryesisë së Degës së kësaj parti në Gjilan, Shaqir Ukshini, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti.
Ai në letrën e tij të dorëheqjes ka shkruar se ndonëse që prej themelimit të NISMA ka punuar shumë, ndjehet i fyer dhe i anashkaluar nga drejtuesit e kësaj partie.
Madje ai ka kujtuar një moment gjatë kohës kur NISMA e sotme ishte ndarë nga Partia Demokratike e Kosovës që atë kohë drejtohej nga Hashim Thaci.
“Prandaj, një kërkimfalje e veçantë shkon për Presidentin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Ai në vitin 2014 në takimin e fundit që kishim bashkë me Bajram Hasanin, na tha : Mos u ngutni të bëni lëvizje politike, se do të zhgënjeheni”, ka shkruar Ukshini.
Kjo është letra e tij e plotë e dorëheqjes:
Të dashur miq,
Shumë të respektuar aktivistë të NISMA për Kosovën,
Dua të ju njoftoj të gjithëve se që nga sot jap dorëheqje nga të gjitha detyrat e mia në këtë subjekt, si anëtar i Këshillit Kombëtar të NISMA Socialdemokrate për Kosovës dhe nga kryesia e degës në Gjilan.
Unë si njëri nga themeluesit e NISMA’s kam qenë tejet aktiv në të gjitha aktivitetet që kanë pasur të bëjnë me rritjen, shtrirjen dhe promovimin e kësaj partie në degën në Gjilan. Por përveç që ndihem i anashkalur ndihem edhe i fyer nga drejtuesit e NISMA’s.
Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën tuaj të nderuar gjilanas antarë të kësaj partie.
Edhe një herë, shumë respekt dhe falënderim për ju që kërkova votat për NISMA-në. Ne besuam dhe besimi u thye.
Prandaj, një kërkim falje e veçantë shkon për Presidentin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Ai në vitin 2014 në takimin e fundit që kishim bashkë me Bajram Hasanin, na tha : Mos u ngutni të bëni lëvizje politike, se do të zhgënjeheni”
Ashtu edhe na ndodhi!
Gjilan kujdes kënd e ulni në sofër.
Sinqerisht
Shaqir Ukshini