Partia e Recep Tayyip Erdogan ka humbur qytetet kryesore në zgjedhjet lokale të Turqisë të mbajtur të dielën.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është përballur me humbje, teksa partia e tij AK ka humbur kontrollin e kryeqytetit të këtij shteti Ankarasë, për herë të parë në zgjedhjet lokale dhe është paraqitur për të pranuar edhe humbjen e qytetit të Stambollit.
Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke, prej kur ka ardhur në pushtet 16 vjet më parë, dhe ka udhëhequr këtë shtet me masa secilën herë më të ashpra, ka bërë fushatë intensive gjatë dy muajve të fundit për votimet e së dielës, të cilat i ka cilësuar si “çështje të mbijetesës” për Turqinë.
Megjithatë marshet ditore të presidentit dhe mbështetja tejet e madhe në media nuk kanë arritur t’i sigurojnë fitoren partisë së tij në kryeqytet apo Stamboll, edhe për faktin dhe Turqia tani po përballet me recesion ekonomik.
Mediat turke kanë thënë se kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP), Mansur Yavas ka shënuar fitore të qartë në Ankara, mirëpo rezultati ka qenë aq i ngushtë në Stamboll, sa që të dyja partitë kanë pretenduar fitore.
“Njerëzit kanë votuar në të mirë të demokracisë, ata kanë zgjedhur demokracinë”, ka thënë lideri opozitar, Kemal Kilicdaroglu duke deklaruar se partia e tij ka CHP ka fituar Ankaranë, Stambollin dhe Izmirin, qytetin e tretë më të madh në Turqi.
Humbja për partinë me bazë islamike të Erdoganit në Ankara ka qenë një shenjë e rëndësishme për presidentin. Humbja e Stambollit, vend në të cilin ka nisur karrierën e tij politike dhe ku ka shërbyer si kryetar në vitet 1990, mund të nënkuptojë një problem edhe më të madh për mbështetjen që gëzon ai.
Ndonëse lira turke pati një rritje të lehtë para zgjedhjeve, vlera e saj ka rënë sërish të hënën dhe ka qenë 1.2 për qind në krahasim me vlerën e dollarit amerikan prej 5.62.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu ka thënë se partia e Erdoganit do të apelojë rezultatin në disa distrikte të Ankarasë.
Në një fjalim para mbështetësve të tij në Ankara, Erdogan ka pranuar humbjen në Stamboll, ndonëse ka thënë se shumica e lagjeve në këtë qytet do të udhëhiqen nga partia e tij.
“Edhe nëse njerëzit tanë nuk na kanë dhënë udhëheqësinë, ata i kanë dhënë distriktet partisë AP”, është shprehur ai.
Partia do të apelojë rezultatet kurdo që ka nevojë, ka shtuar ai.
“Kapitull i ri”
Erdogan është zotuar se Turqia tani do të fokusohet në ekonomi, teksa zgjedhjet kombëtare në këtë vend do të mbahen më 2023.
“Ne jemi një kohë të gjatë përpara për të kryer reforma ekonomike pa kompromis në rregullat e tregut të lirë”, u ka thënë ai gazetarëve.
Erdogan, lideri më i mirënjohur i Turqisë, prej themeluesit të republikës turke, Mustafa Kemal Ataturk, ka pasur mbështetje për shkak të rritjes ekonomike dhe ka gëzuar përkrahjen e kryesisht myslimanëve konservativë turq.
Ai ka qenë njeriu më i famshëm gjatë fushatave ndonëse ka ndryshuar politikat gjatë një periudhë të shkurtër, duke u kthyer nga një politikan modern, në një politikan me ambicie për ndryshim të kushtetutës dhe transformim të presidencës ekzekutive, hap që ka alarmuar aleatët e tij perëndimorë, që kanë përmendur frikën për rritje të autoritarizmit në Turqi.
Prandaj, teksa Turqia po kalon në krizë ekonomike, si pasojë e rënies së vlerës së liras dhe inflacionit në rritje prej 20 për qind, bashkë me numrin e rritur të papunësisë, votuesit duket se kanë qenë të gatshëm për ta ndëshkuar presidentin.
“Këto zgjedhje janë historike sikur ato të vitit 1994”, ka thënë gazetari Rusen Cakir përmes një postimi në Twitter, duke iu referuar vitit kur Erdogan ishte zgjedhur kryetar i Stambollit.
“Kjo tregon se një faqe që është hapur 25 vjet më parë, tani është duke u mbyllur”, ka shtuar ai.
Teksa autoritetet kanë tentuar të rrisin vlerën e valutës turke javën e kaluar, Erdogan ka thënë se Turqia do të tejkalojë këto probleme dhe se ai është “shefi” i ekonomisë.
Megjithatë, bashkë-president i kompanisë për çështje politike, Teneo, Wolfango Piccoli, ka thënë se partia e AK e Erdoganit ka humbur shtatë nga 12 qytetet kryesore, pa numëruar Stambollin.
“Kjo është natë e rëndë për partinë AK”, ka thënë ai.
“Ata nuk kanë punuar mirë në gjithë këtë situatë ekonomike. Për një parti që e konsideron vetën pro-biznesore, kjo është një çështje e madhe”.
Në pjesën juglindore të Turqisë, të banuar kryesisht nga kurdët, banorët kanë festuar fitoren e partisë opozitare pro-kurde, Partia Demokratike Popullore, e cila ka fituar komunat, të cilat autoritetet i patën marrë nën kontroll dy vjet më parë, duke e akuzuar këtë parti për lidhje terroriste.
Megjithatë, anëtarët e këtij grupi mohojnë se kanë ndonjë lidhje me Partinë Popullore të Kurdistanit.
“Ata na kanë vjedhur neve dhe ne tani do ta përmbysim këtë gjë”, ka thënë banori, Abdullah Elmas për agjencinë e lajmeve Reuters.