Lajmi i fundit: Gjykata merr vendimin për policin nga Drenasi

18:05 | 07 February 2019

Është marrë vendimi për policin V.V, i dyshuar për keqpërdorimin e vajzës 16 vjeҫare.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar 30 ditë ndalje (prapa grilave) ndaj Vesel Veselit.

Vendimi është marrë pasi në gjykatë të enjten pasdite është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj zëvendësshefit të hetimeve të Stacionit Policor të Drenasit, i kapur para dy ditësh.

Polici nga Drenasi, Vesel Veseli, që po dyshohet se ka keqpërdorur një 16-vjeçare nga Drenas, duke keqpërdorur edhe pozitën e tij zyrtare.

Madje, dyshimet thonë se i njëjti ka shtyrë të miturën të abortojë pa dëshirën e saj, shtatzëninë që kishte ardhur pas marrëdhënieve që Veseli kishte pasur me të miturën që dyshohet se po ashtu e shantazhonte.

Krejt kjo, dyshohet se ka nisur kur vajza kishte shkuar në Polici për të raportuar një tjetër rast të keqpërdorimit të saj nga mësuesi i saj. Edhe ky i fundit është kapur të enjten, dhe po mbahet në ndalim policor.

Ky është njoftimi i plotë i Gjykatës:

Caktohet masa e ndalimit kundër të pandehurit V.V.

Prishtinë, 07 shkurt 2019 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda për caktimin e masës së ndalimit kundër të pandehurit V.V për shkak të veprave penale Keqpërdorimi duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 nën paragrafi 1.3. të KPRK-së dhe veprën penale Ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë nga neni 184 par.2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të Kodit Penal Republikës së Kosovës.

Gjykata ka marr aktvendim dhe të pandehurit V.V iu është caktuar masa e ndalimit prej datës 05.02.2019 deri me datë 05.03.2019.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V.V duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në cilësinë e udhëheqësit në Njësinë e Hetimeve në Stacionin Policor Drenas e ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar të tij.

Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda kundër të pandehurit V.V është përmbushur kriteri i veçantë për caktimin e masës së ndalimit nga neni 187 par.1 nën paragrafi 1.2 pika 1.2.1, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes, pasi që tani i pandehuri akuzohet për dy vepra penale për të cilën ligjvënësi ka paraparë dënime të ashpra bazuar në rrezikshmërinë shoqërore të këtyre vepre penale, andaj ekziston rreziku që i pandehuri të fshihet apo të ik përkohësisht nga Republika e Kosovës me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale apo edhe për të penguar rrjedhën e pa ndërprerë të procedurës penale ndaj tij.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Komento: