LAJMI I FUNDIT: Manchester United emëron trajnerin e përkohshëm

17:42 | 18 December 2018

Manchester United ka shkarkuar sot nga pozita e trajnerit Jose Mourinhon pas rezultateve të dobëta.

Pas shkarkimit të Jose Mourinhos nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit, duket se personi i cili do ta kryejë këtë rol deri në fund të këtij sezoni do të jetë ish-sulmuesi legjendar i klubit, Ole Gunnar Solskjaer.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit raportohet se është tani në bisedime me klubin anglez për ta marrë pozitën e trajnerit të përkohshëm deri në përfundim të këtij sezoni, transmeton Express.

Solskjaer, i cili tani është në pozitën e trajnerit të Moldes së Norvegjisë, ka qenë i lidhur me këtë pozitë së bashku me një ish-lojtar tjetër të “Djajve të kuq”, Laurent Blanc, si dhe disa trajnerë të tjerë.

Besohet se klubi dëshiron që rolin e trajnerit të përkohshëm deri në fund të sezonit ta marrë dikush me përvojë, raporton The Mirror. Drejtuesit e Manchester Unitedit besojnë se do ta arrijnë një marrëveshje të tillë deri të martën, kur pritet të zyrtarizohet ky emërim.

Në fund të sezonit, klubi do ta shqyrtojë vendimin për emërimin e një trajneri tjetër, pasi që mediat angleze raportojnë se favoritët për këtë pozitë në një periudhë më afatgjatë janë Zinedine Zidane dhe Mauricio Pochettino.

Mourinho u shkarkua sot nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në sezonin e tij të tretë me klubin anglez, pas disfatës kundër Liverpoolit me rezultat 3-1 në fundjavë. Në 144 ndeshje me “Djajtë e kuq”, Mourinho i ka arritur 84 fitore, 32 barazime , 28 humbje, me më një përqindje prej 58.3 fitoreje

Në sezonin e tij të parë me Manchester Unitedin, Mourinho i fitoi tre tituj: Evropa Ligë, League Cup dhe Community Shield. Sezonin e kaluar, të dytin për të, ai nuk arriti të fitojë asnjë titull me klubin e tij.

Mirëpo, ky sezon ka qenë mjaft zhgënjyes për Manchester Unitedin, pasi që ata tashmë janë 19 pikë prapa liderëve, Liverpoolit, dhe kjo gjë ka bërë që ai të shkarkohet nga pozita e trajnerit pas dy viteve e gjysmë në këtë pozitë.

Komento: