LAJMI I FUNDIT: Në Merdare ndalohet një zëvendësministër

15:05 | 02 Janar 2019

Një zëvendësministër është ndaluar sot në pikën kufitare në Merdare.

Nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës, njëherit zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankovic, është ndaluar sot në pikën kufitare në Merdarë nga zyrtarët policorë serb.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që të autoritetet serbe të ndalojnë praktika të tilla, shkruan Express.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Stankovic po mbahet nga zyrtarët policorë serb për siç ka thënë “pa asnjë arsye” dhe në bazë të informacioneve që kanë “ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.”

“Sot në pikën kufitare në Merdare, është ndaluar nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankovic. Ai po mbahet nga zyrtarët policorë serb pa asnjë arsye dhe në bazë të informacioneve që kemi ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i Qeverisë ka ftuar autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat e tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës.

“Ftojmë autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe ne nuk do të pranojmë që në këtë formë të frikësohen qytetarët tanë”, thuhet në postimin e Haradinajt.

Komento: