Është prangosur vëllai i presidentit të rrëzuar algjerian, Abdelaziz Bouteflika.
Pos tij, janë prangosur edhe dy ish-udhëheqës të inteligjencës.
Këta tre persona u dërguan në ndalim të shtunën pas hetimit të aktiviteteve të tyre, raportuan mediet lokale.
Prangosja e tyre erdhi pas disa javëve të protestave që u organizuan për largimin e tërë elitës politike nga pushteti në Algjeri.
Said Bouteflika, Bachir Athmane dhe Mohamed Mediene do të paraqiten në një gjykatë ushtarake të dielën. Vëllai i ish-presidentit konsideroj de fakto si udhëheqës i shtetit pas vështirësimit të gjendjes shëndetësore të Bouteflikas më 2013.
Komandanti i ushtrisë, Gjenerali Gaid Salah, e ka akuzuar më parë njërin nga personat e prangosur për aktivitete kundër ushtrisë dhe popullit.
Ish-presidenti, i cili ishte në pushtet për 20 vjet, dha dorëheqje muajin e kaluar pas protestave masive dhe të vazhdueshme kundër tij.
Rreth 70 për qind e popullsisë së Algjerisë janë nën moshën 30 vjeçare dhe shkalla e papunësisë së rinisë është e lartë, shkruan “BBC”.