Për 4 metra ka rënë niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit.
Në liqenin e Badocit dhe të Batllavës ka rënë niveli i ujit për rreth 4 metra.
Dy liqenet nga të cilat furnizohet e gjithë Prishtina, liqeni i Batllavës dhe ai i Badocit janë duke u përballur me rënie të nivelit të ujit.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net kryeshefi ekekutiv i Kompanisë së Ujësjellsit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu.
Abdullahu ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, ky nivel i rënies së ujit në Batllavë e Badoc është më i lartë krahasuar me vitin e kaluar në po të njëjtën periudhë kohore.
Abdullahu po ashtu ka bërë të ditur se po të mos ishte furnizimi i ujit nga liqeni i Ujmanit, këto dy liqene do të kishin rënie edhe më të madhe të nivelit të ujit.
“Sot niveli në liqenin e Batllavës është 4 metra nën nivelin maksimal, ndërkaq niveli në liqenin e Badocit është 4.2 metra nën nivelin maksimal. Në krahasim me vitin e kaluar në mesin e muajit mars të dy liqenet ishin në nivelin kapërderdhës, pra mbi kuotën maksimale. Po thuajse nga gjysma e viti të kaluar e deri më tani kemi mungesë të reshjeve dhe po mos të ishte marrja e ujit nga liqeni i Ujmanit nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ultë”, ka treguar Abdullahu për lajmi.net.
Duke e parë se qysh tani këto dy liqene janë duke u përballur me mungesë të ujit, Abdullahu ka bërë të ditur se KUR “Prishtina”, ka bërë planin se si të menaxhojë mungesën e ujit në kohën e thatësirave.
“Po kemi një plan për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet të merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë”, është shprehur ai.
Mirëpo, Abdullahu po ashtu ka bërë të ditur se KUR “Prishtina”, ka bashkëpunim me të gjitha komunat, përkatësisht drejtoritë e Inspektoratit për të parandaluar keqpërdorimin e ujit të pijshëm sidomos në kohën e verës.
“Me të gjitha komunat kemi bashkëpunim me drejtoritë e inspekcioneve për të ndalur keqpërdorimet dhe abuzimet me ujin e që vijnë nga ana e konsumatorëve e sidomos në muajt maj-tetor”, ka deklaruar ai për lajmi.net.
Abdullahu po ashtu ka bërë të ditur se mungon vetëdijësimi i qytetarëve për përdorimin në mënyrë të duhur të ujit të pijshëm.
Ai ka bërë apel te të gjithë qytetarët që ta menaxhojnë në mënyrë të duhur përdorimin e ujit të pijshëm.
“Me keqardhje konkludojmë se akoma nuk kemi vetëdijesim sa i përket përdorimit te ujit për pije dhe ai edhe sot në shkallë të madhe keqpërdoret. Në më pak se një dekadë – deri në vitin 2025, gati 75% e popullsisë së botës pritet të jetojnë me burime të kufizuara ujore, (një studim i Kombeve të Bashkuara). Vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërrmuese në dekadën që po futemi. Pra theksojmë edhe njëherë se është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujt për pije të mos e përdorim atë pa nevojë dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet. Nëse këto që u thanë merren seriozisht nga konsumatorët, ne do të kemi shumë më lehtë t’i menaxhojmë nivelet edhe të mbajmë qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë 24/7”, ka deklaruar Abdullahu për lajmi.net.
Ndryshe liqeni i Batllavës dhe Badocit kanë pasur rënie më të madhe të nivelit të ujit në vitin 2013 gjer në muajin prill të vitit 2014.
Sipas të dhënave zyrtare të KUR “Prishtina”, në muajin shkurt të vitit 2014, ulja e nivelit të liqenit të Batllavës ka qenë -13 metra nga niveli maksimal.
Ndërkaq në po të njëjtin muaj dhe vit, ulja e nivelit maksimal në liqenin e Badocit ka qenë minus 14 metra.
Sipas KUR “Prishtina”, në atë kohë rezertvat e ujit për prodhim për qytetarët kishin qenë vetëm për 3 deri në 4 muaj.