“Lani gojën para se të flisni për Ramën”, debat i fortë në Kuvendin e Shqipërisë për Kosovën

11:40 | 16 Korrik 2026
“lani-gojen-para-se-te-flisni-per-ramen”,-debat-i-forte-ne-kuvendin-e-shqiperise-per-kosoven

Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me reagimin e qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres, Snezhana Paunoviç, për Kosovën.

Muçi kërkoi që Kryeministri Edi Rama të mbajë një qëndrim publik, duke e cilësuar “spastrimin etnik” si krim ndaj njerëzimit dhe duke akuzuar qeverinë se ka heshtur përballë deklaratave të tilla.

Muçi: Nëse Rama nuk mban qëndrim për deklaratën e ministres serbe, për çfarë do të mbajë qëndrim?

“Deklarata të tilla janë në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila në nenin 8 pika 1 shkruan se Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. Nëse Rama nuk mban qëndrim për deklaratën e ministres serbe, për çfarë do të mbajë qëndrim?. Dua të iu rikujtojë që nga salla e këtij Kuvendi në tetor të vitit të shkuar, deputet e mazhorancës rrëzuan propozimin e rezolutës që vinte nga opozita për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe ky kryeministri i juaj që nuk lini rast të thoni se ia përmendi mikut të tij Vuçiqit pavarësinë e Kosovës si ka mundësi që nuk thotë çerek llafi kur zëdhënësi i mikut të tij Vuçiçit shprehet për spastrimin etnik të Kosovës. ….Ka lëshuar Taulant Ballën të sulmojë edhe gazetarët dhe nuk harroi të merrej edhe me Dua Lipën. Pra ky që merret me të gjithë armiqët e popullit si ka mundësi që nuk mban një deklaratë për ministren serbe për spastrim etnik të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë?”, tha ai.

Në përgjigje, Balla tha se reagimi i qeverisë shqiptare është bërë përmes Ministrisë së Jashtme dhe akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë për përdorimin e çështjeve kombëtare për “karagjozllëk politik”.
Balla: Kur e përmend Edi Ramën, ti dhe shokët tuaj duhet të lani gojën mirë.

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por edhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë nga Ministria e Jashtme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen në karagjozllëk politik, por janë çështje me rëndësi kombëtare që s’mund të talleni me një aspekt procedural. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare, nuk jemi karagjozë si puna jote. Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë, politik. Kam reaguar shumë përpara teje, meqë u bëmë si kalamajtë e kopshtit; ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë. Natyrshëm, ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritete politike përfaqësuese që ne komunikojmë, Komisioni Evropian. Shqipëria, kur reagon, reagon bashkë me aleatët e vet. Është turp të vish dhe të bësh politikë. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët tuaj duhet të lani gojën mirë, pasi është i vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që nga 1912, që çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit. Edhe në 2014, në Beograd, ka deklaruar që Kosova është shtet i pavarur dhe Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE”, tha ai.

Komento: