Cristiano Ronaldo nuk e ka në plan që ta mbyll karrierën në Juventus.
Anësori portugez i Orlandy Cityt, Nani, pretendon se bashkëkombësi i tij në Juventus, Cristiano Ronaldo, i ka thënë atij se ka gjasa që ai ta përfundojë karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nani dhe Cristiano Ronaldo kanë qenë bashkëlojtarë edhe në ekipin kombëtar të Portugalisë, por edhe gjatë kohës së tyre në Manchester United.
Ronaldo është raportuar se mund t’i ndjekë hapat e lojtarëve si David Beckham, Zlatan Ibrahimovic, Thierry Henry e David Villa, duke shkuar në ligën amerikane MLS afër fundit të karrierës.
Nani e ka konfirmuar se edhe vetë ylli i Juventusit ia kishte sugjeruar një gjë të tillë, e cila mund të mos jetë edhe shumë larg, pasi që portugezi tani i ka mbushur 35 vjeç.
“Para pak vitesh, ai më tha se ka gjasa që, në fund të fundit, ai të vijë në Amerikë”, ka thënë Nani, në një intervistë të dhënë për ESPN.
“Nuk është 100 për qind e sigurt, por ka gjasa. Ka mundësi të ndodhë”.
Skuadra për të cilën ka pasur më së shumti spekulime se mund ta sigurojë transferimin e Ronaldos ka qenë Inter Miami, klubi i drejtuar nga David Beckham, i cili pritet të debutojë në sezonin e ri të MLS.