Largimi i deputetëve nga VV-ja/ Bashkë partiaku i Kurtit thotë se partia e tij është sikurse UÇK-ja e viteve të 90-ta dhe LDK-ja në kohën e Rugovës

07:55 | 04 Tetor 2024
largimi-i-deputeteve-nga-vv-ja/-bashke-partiaku-i-kurtit-thote-se-partia-e-tij-eshte-sikurse-uck-ja-e-viteve-te-90-ta-dhe-ldk-ja-ne-kohen-e-rugoves

Kur çdo ditë e më shumë po afrohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të caktuara më 9 shkurt 2025, në subjektin më të madh politik në vend, e cila udhëheq me vendin, Lëvizjen Vetëvendosje, kanë filluar largimet e dorëheqjet e deputetëve.

Nga kjo parti së fundi janë larguar deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, të cilët kanë hyrë në koalicion me partinë e Behgjet Pacollit dhe PD-në e Ferid Aganin, përderisa pritet edhe largimi i deputetes Drita Millaku, e cila thuhet se do të kaloj në LDK.

Megjithatë, këto lëvizje ‘’tektonike’’, për zyrtarët e partisë më të madhe në vend e cila udhëheq me vendin, VV-në, nuk mund ta ndalin dhe ta zbehin përkrahjen që kanë nga populli. Madje, siç thonë ata, VV-ja sot është sikurse LDK-ja në kohën e themeluesit të saj, Ibrahim Rugovës e me UÇK-në e fundviteve 90-ta.

Deputeti i VV-së: Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kaluar përmasat e një subjekti politik

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, në një prononcim për FrontOnline, subjektin politik të cilit  i takon e krahason me Lidhjen Demokratike të Kosovës të kohës së Ibrahim Rugovës të fillim e viteve 90-ta dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të fundviteve të 90-tPostima

‘’ VV i ka kaluar përmasat e një subjekti politik. VV sot është Lëvizje gjithëpopullore me krahasua me LDK-në e fillim viteve të 90’ta dhe UÇK-në e fund viteve 90-ta dhe VV nuk është më thjeshtë subjekt politik, por lëvizje gjithë popullore që po kërkon dhe po dëshiron edhe po e zbaton ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës’’, deklaron deputeti Thaçi për FrontOnline.

Ai nuk dëshiron të merret fare me dy ish-kolegët e tij, që tashmë iu kanë bashkuar një koalicionit tjetër parazgjedhor, duke thënë se ai ka qenë vetë kundër Kodit Civil, por që nuk e ka përdorur votën e tij për të fituar votën e dikujt tjetër, duke u shprehur se do të qëndroj në Lëvizjen Vetëvendosje.

”S’po du me u marr me ta hiç. Unë jam vetë njeri nga ata që kam votuar kundër Kodit Civil. Unë kurrë asnjëherë nuk e kam përdorur këtë votë për me perfitu votën e dikujt tjetër. Unë i besoj Lëvizjes’’, shton deputeti Thaçi.

Deputeti i VV-së, zgjedhjet e vitit të ardhshëm i sheh shumë të rëndësishme dhe se për të ato zgjdhje do të tregojnë nëse qytetarët janë për shtrim të sovraniteti në vend apo për ata që sipas tij kanë lejuar, terroristin Milan Radojçiqin të qeverisë me një pjesë të Kosovës.

‘’Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për arsye se këto kanë me definuar se a janë qytetarët e Kosovës për shtetin dhe sovranitetin e ligjshmërinë e tij apo janë për ata që e kanë lejuar Radojçiqin me qeverisë me një pjesë të Kosovës’’ ,potencon deputet Halil Thaci për FrontOnline.

Humolli: Në VV ka grupe militantësh që janë formuar për të ofenduar kushdo që largohet e mendon ndryshe nga ta

Deputeti i Pavarur i Kuvendit të Kosovës, një kohë ish-pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, për FrontOnline, deklaron se Vetëvendosje është subjekt politik heterogjen, dhe që për kreun e VV-së, Albin Kurti,ka qenë e rëndësishme mbledhja e sa më shumë votave.

’’VV nuk ka qenë subjekt politik dhe nuk është homogjene, por ka ka qenë një grumbullim heterogjen dhe asnjë subjekt politik nuk është me heterogjen se sa VV-ja dhe duke pasur parasysh këtë gjendje, Kurti ka dashur të fitoj vota nga gjitha rrymat për të ndërtuar një subjekt politik për të garuar në zgjedhjet e ardhshme’’ thotë Humolli.

Deputeti i pavarur deklaron se Qeveria Kurti i ka ofenduar veteranët e UÇK-së dhe se tashmë pikëpamjet e tij nuk përshtatën me programin qeverisës të VV-së.

‘’Qeveria i ka ofenduar dhe poshtëruar veteranët dhe familjet e tyre. Pikëpamjet e mia nuk kanë qenë në përputhje me programin qeverisës të VV-së, por me programin elektoral të saj. Momentin kur është ndërtuar qeveria, një klikë brenda VV-së e kanë uzurpuar pozicionin e Qeverisë dhe nuk i kanë dëgjuar reagimet e deputetëve. Unë vetë i kamë paralajmëruar’’ shton ai.

Për deputetin Humolli, VV-ja nuk është as e djathë dhe as e majtë, por një parti me një liberalizëm ekstrem.

‘’VV nuk është as e majtë e as e djathtë, por liberalizëm ekstrem. Ka plotë deputetë të tjerë që iu imponohen gjërat por që nuk e pranojnë e tash e këta deputetë e kanë pasur guximin me reaguar. Unë e kam parë përbërjen e moshës së deputetëve të VV-së, që ju mungon përvoja politika dhe guximin politik. Unë kam biseduar me deputet personalisht, ka miratim për pozicionin tim, por s’kanë guxim të rreshtohen me neve. VV më shumë është shoqëri civile se sa orientim politik’’, potencon ai.

Deputeti i Pavarur thotë se ka grupe militante brenda VV-së, që janë formuar për të ofenduar dhe goditur kë do që mendon ndryshe nga VV-ja dhe për shkak të saj sipas tij, ka shumë deputetë brenda VV-së që nuk guxojnë të shprehin mendimet dhe qëndrimet e tyre hapur.

 ‘’Grupet militante janë formuar për të goditur çdo frymë që mendon ndryshe dhe unë kam pasur deputetë që kanë thënë s’mundem me u largu ose me u rreshtua ndryshe se s’mundën me i durua fyerjet e këtyre grupeve’’ thotë Humolli për FrontOnline.

Analisti Arifi: Me largimin e deputetëve nga VV, u tkurr ëndrra për të fituar 50% të votave

Analisti politik, Dritëro Arifi, për FrontOnline, largimet dhe lëvizjet e fundit të deputetëve të VV-së, i sheh si jo parimore, por më shumë si interesa personale.

‘’Mendoj se asnjëra dhe as tjetra nuk janë parimore sepse po themi që nga bashkimi i këtyre grupeve të ndryshme, politike, ideologjike, konceptuale, familjare, fetare, që në fillimet e para kur kanë qenë pjesë e VV-së, nuk është se këto gjëra nuk i kanë ditur apo qëndrimet e udhëheqësve të VV-së, por po vërehen se në Kosovë më i rëndësishëm është interesi personal, sesa personat e tillë kanë aluduar si tashmë’’ thotë ai.

Arifi, potencon se deputetët e larguar së fundmi nga VV, kanë mundur te largohen para një viti, por që kjo është bërë për shkak se tashmë dihet data e zgjedhjeve të reja parlamentare, që do të mbahen vitin tjetër.

‘’Ata kanë mundur të largohen edhe para një viti, edhe dy vite ku kanë aluduar për kodin civil, por për shkak se tash po dihet data e zgjedhjeve dhe për të krijuar një momentum politik e kanë bere daljen, për të proklamuar edhe vetën e tyre dhe për të arritur përkrahjen të masa. Këta persona është dashur më herë ta tregojnë këtë devotshmëri’’ thotë ai.

Analisti politik, thotë se VV ka qenë e madhe, dhe që sipas tij me largimin e deputetëve të fundit është tkurrur ëndrra e VV-së për të fituar shumicën prej 50%/ të votave.

‘’Ka qenë e madhe VV, por nuk është më e madhe sepse një pjesë e deputetëve është larguar nga kjo parti katër deputet iu larguan dhe mendoj se VV do të ketë tkurrje të votave dhe këta persona e përfaqësojnë një numër të votave dhe largimi i këtyre deputetëve do të ndikojë sa për ta tkurrur atë numër.

Për analistin Arifi, vetë subjekti politik, Vetëvendosje është fajtore për këto largime pasi që ka bërë përzierje të të gjitha rrymave politike Brenda saj.

‘’VV është fajtore, dhe kjo është për shkak të përzierjes politike të të gjitha grupeve aty dhe ky ka qenë synimi i VV vetëm për të ardhur në pushtet dhe jo për ndonjë vizion të qartë. Për ta vizion është pushteti’’ thotë analisti politik Dritëro Arifii/FrontOnline/

 

Komento: