Largimi i deputetëve serbë nga Kuvendi, Hovenier: Ishte për të ardhur keq…

21:38 | 10 Dhjetor 2024
largimi-i-deputeteve-serbe-nga-kuvendi,-hovenier:-ishte-per-te-ardhur-keq…

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë në CONTEXT të ATV-së ka theksuar rëndësinë e bartjes paqësore dhe demokratike të pushtetit gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai e vlerësoi Kosovën për historikun e saj të mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe efektive që reflektojnë realitetin e vullnetit të popullit.

Hovenier gjithashtu foli për pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhje, duke theksuar se ky komunitet është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë kosovare dhe se është e nevojshme që ata të përdorin mjetet demokratike për të adresuar shqetësimet e tyre.

Ambasadori shprehu shpresën se serbët do të angazhohen në procesin zgjedhor për të siguruar mbrojtjen e interesave të tyre.

Ai gjithashtu kritikon ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur të papranueshme përpjekjen për të penguar përfaqësuesit e zgjedhur të ushtrojnë funksionet e tyre dhe theksoi se ky nuk është një shembull i demokracisë që pritej.

Deklarata e plotë e Hovenierit:

Të dyja tendencat janë të rëndësishme. Sa i përket bartjes paqësore të pushtetit, kështu bëhet në demokraci dhe Kosova ka çdo arsye të jetë krenare për historikun e saj që nga pavarësia, për mbajtjen e zgjedhjeve efektive, për makinerinë e zgjedhjeve që funksionon mjaft mirë, mjaft mirë në shumicën e rasteve.

Dhe realiteti i pasqyrimit të zërave të njerëzve në rezultat. Kjo është shumë pozitive. Ju ngritët edhe çështjen e ndjeshme të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe më vjen mirë që e bëtë. Më vjen mirë që kam këtë mundësi të flas për këtë për pak.

Ne besojmë fuqishëm – dhe shpresoj se i gjithë populli i Kosovës pajtohet me ne – se komuniteti etnik serb është pjesë përbërëse e shoqërisë së Kosovës dhe se, natyrisht, do të dëshironim që ata të përdorin instrumentet demokratike në Kushtetutë, në ligjet e Kosovës, për të adresuar shqetësimet që i kanë. Prandaj, shpresojmë shumë që komuniteti etnik serb të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe të zgjedhë vetë se kush do t’i përfaqësojë ata në institucionet dhe strukturat shtetërore për të siguruar që interesat e tyre të mbrohen sa më mirë. Dhe ndërsa jam në këtë, më lejoni që të flas shumë shkurt për situatën në Kuvend javën e shkuar.

Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre. Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta.

Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq”./ATV

Komento: