Largohen autoblindat e karabinierëve që po qëndronin mbi Urën e Ibrit

19:47 | 02 Shtator 2024
largohen-autoblindat-e-karabiniereve-qe-po-qendronin-mbi-uren-e-ibrit

Dy autoblindat e fundit të karabinierëve italianë janë larguar nga Ura e Ibrit, duke mbetur vetëm prania e zakonshme e KFOR-it.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 gusht kishte rritur befasishëm praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Kjo rritje e pranisë së KFOR-it aty besohej se erdhi pas aksionit të Policisë së Kosovës për mbylljen e disa objekteve të institucioneve paralele serbe.

Por KFOR-i reagoi duke thënë se këto ishin ushtrime rutinore.

Sipas KFOR-it dislokime të tilla shtesë, janë pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth. KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”, tha KFOR.

Pas këtyre stërvitjeve  trupat e shtuara të KFOR-it ishin larguar, por aty kishin qëndruar dy autoblinda.

Mirëpo sipas pamjeve të fundit të siguruara nga Telegrafi edhe këto dy autoblinda të karabinierëve tashmë janë larguar duke mbetur vetëm prania e zakonshme e KFOR-it mbi urë./Telegrafi/

Komento: