Lavrov kritik ndaj BE-së: Nuk është në gjendje të zgjidhë çështjen e Kosovës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Lavrov kritik ndaj BE-së: Nuk është në gjendje të zgjidhë çështjen e Kosovës

11:04 | 20 Dhjetor 2019

Lavrov thotë se BE nuk është në gjendje të zgjidhë çështjen e Kosovës.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosefikasitetin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bashkimi Evropian ka treguar pafuqinë e saj në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ka thënë shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

Ai për “Telegraf.rs” ka përkujtuar se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel është pezulluar dhe tani një periudhë të gjatë nuk shihen shenja për vazhdimin e tij, transmeton lajmi.net.

“Aktualisht, nga një këndvështrim nuk shihen parakushtet për dinamikë të re në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në Kosovë vazhdon të mbizotërojë kaosi pas zgjedhor dhe lufta për pushtet. Ndikimi ndërmjetësues i BE-së në masë të madhe është devalvuar”, deklaroi ai.

Në pyetjen se cila është pengesa kryesore, Lavrov ka thënë se BE ende nuk është në gjendje të ketë ndikim mbi shqiptarët e Kosovës në mënyrë që ata të vihen nën presion për të pasur çasje konstruktime ndaj bisedimeve me Serbinë.

“Për shembull, nga viti 2013, Prishtina saboton përmbushjen e obligimeve për krijimin e Komunave me shumicë serbe. Tash e më tepër se një vit nuk e kanë hequr taksën diskriminuese për mallrat serbe që e ka vendosur qeveria e Kosovës”, u shpreh ai, transmeton lajmi.net.

Duke u përgjigjur në pyetjen se si Moska e sheh zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shefi i diplomacisë ruse ka thënë se Rusia mbështetë arritjen e marrëveshjes e cila është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka shtuar se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ta ketë miratimin e Këshillit të Sigurimit sepse bëhet fjalë për sigurimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Lavrov ka thënë se Rusia do të pajtohet vetëm me një vendim ndaj të cilit do të jetë e kënaqur edhe Serbia.

Komento: