LBK: Nuk jemi kundër kontrolleve, por prodhuesi vendor nuk duhet të trajtohet si problem

14:35 | 10 Gusht 2026
lbk:-nuk-jemi-kunder-kontrolleve,-por-prodhuesi-vendor-nuk-duhet-te-trajtohet-si-problem

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar lidhur me debatet e fundit për kontrollin dhe sigurinë e produkteve vendore, duke theksuar se nuk është kundër inspektimeve dhe kontrolleve profesionale, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet ushqimore.

Në një komunikatë për media, LBK ka thënë se shqetësimi i saj lidhet me mënyrën se si komunikohen çështjet teknike dhe laboratorike, pasi deklarimet politike, sipas saj, mund të krijojnë perceptim të gabuar te konsumatorët dhe të dëmtojnë reputacionin e prodhuesve vendorë.

“Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, dua të jemi shumë të qartë: nuk jemi kundër kontrollit, inspektimit apo trajtimit profesional të produkteve, veçanërisht të produkteve ushqimore. Përkundrazi, siguria e konsumatorit dhe cilësia e produkteve duhet të jenë prioritet i përbashkët i të gjithëve”, thuhet në reagim.

Megjithatë, LBK shprehet kundër, siç e quan ajo, “pompozitetit, deklarimeve politike dhe mënyrës së komunikimit” që mund të krijojë përshtypjen se prodhimi vendor në Kosovë është i pasigurt.

Sipas kësaj lidhjeje, një komunikim i tillë ka krijuar një klimë të panevojshme dyshimi ndaj produkteve vendore dhe i ka vendosur prodhuesit në një pozitë mbrojtëse.

“Ne nuk duhet ta ndërtojmë ekonominë tonë duke krijuar frikë nga produktet vendore. Duhet ta ndërtojmë ekonominë duke krijuar besim tek ato”, thuhet më tej.

LBK vlerëson se komunikimi politik i çështjeve teknike dhe laboratorike, pa prezantimin e plotë të fakteve dhe rezultateve, mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve dhe reputacionin e kompanive vendore.

Në reagim theksohet gjithashtu se shumë kompani kosovare kanë investuar në infrastrukturë moderne, teknologji dhe standarde të prodhimit, duke krijuar kapacitete që, sipas LBK-së, u mundësojnë të konkurrojnë edhe me kompani nga vendet e Bashkimit Evropian.

Lidhja e Bizneseve veçanërisht ka vlerësuar kompanitë që eksportojnë produktet e Kosovës në tregjet ndërkombëtare, duke i cilësuar ato si “ndër ambasadorët më të mirë ekonomikë të Republikës së Kosovës”.

LBK i ka bërë thirrje ministrit përgjegjës që së bashku të vizitojnë prodhuesit vendorë dhe të njihen nga afër me investimet, sfidat dhe nevojat e tyre.

“Ministër, eja t’i vizitojmë bashkë prodhuesit tanë. Eja të ulemi me ta, t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, të shohim investimet që kanë bërë dhe të kuptojmë se çfarë u nevojitet për të rritur edhe më tej cilësinë dhe konkurrueshmërinë”, thuhet në reagim.

Sipas LBK-së, kontrolli dhe standardet janë të domosdoshme, por ato duhet të shoqërohen edhe me mbështetje, edukim, promovim dhe zhvillim të prodhimit vendor.

“Kosova nuk ka nevojë për një luftë mes institucioneve dhe prodhuesve. Kosova ka nevojë për partneritet”, thekson LBK.

Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka deklaruar se mbetet e gatshme për bashkëpunim institucional, me synimin për forcimin e prodhimit vendor, rritjen e cilësisë, hapjen e tregjeve të reja, shtimin e eksporteve dhe krijimin e vendeve të punës.

“Prodhuesi vendor duhet të jetë partner i shtetit, jo objekt i sulmeve dhe dyshimeve politike”, përfundon reagimi.

Komento: