
Lidhja Demokratike e Kosovës hyn në zgjedhjet e 28 dhjetorit më e konsoliduar se kurrë, teksa radhëve të saj i është bashkuar një nga figurat më të njohura të mbrojtjes dhe sigurisë në vend – Gjeneral Major (R.) Gëzim Hazrolli.
Ushtaraku Hazrolli i cili në kohë lufte udhëhoqi me vendosmëri dhe në paqe shërbeu me përkushtim në institucionet e sigurisë, tashmë bëhet pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta fuqizuar këtë subjekt në garën e ardhshme zgjedhore.
Me përvojën e fituar ndër vite, bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet më të rëndësishme të sigurisë, si dhe me bagazhin profesional si ushtarak i lartë, Hazrolli konsiderohet një vlerë e shtuar për skenën politike të vendit, raporton ORAinfo.
Ai pritet t’i sjellë LDK-së profesionalizmin e standardeve të NATO-s, disiplinën ushtarake dhe vizionin strategjik që pak kush e ofron në jetën publike në Kosovë.

Kush është Gëzim Hazrolli?
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së dhe ish-Gjenerali i FSK-së, Gëzim Hazrolli, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në Facebook, ku ka rrëfyer rrugëtimin e tij nga lufta deri te angazhimi i tanishëm politik.
Ushtaraku kujton se karriera e tij ka nisur me disiplinën e uniformës dhe me bindjen se Kosova mbrohet “me zemër e me vepra”.
Ai thotë se nderi më i madh i jetës së tij ka qenë komandimi i Brigadës 123 të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut.
“Aty mësova çfarë do të thotë të udhëheqësh, të sakrifikosh dhe të mos dorëzohesh asnjë ditë”, shkruan Hazrolli.
Pas luftës, ai vazhdoi karrierën në institucionet e sigurisë, derisa mbajti gradën e Gjeneralit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku thotë se ka kontribuar në ngritjen e standardeve profesionale dhe formimin e brezave të rinj ushtarakë.
Në videon që ka publikuar, Hazrolli thotë se paraqet vetëm një pjesë të rrëfimit të tij, ndërsa thekson tri shtyllat ku do ta vazhdojë angazhimin publik:
– Kosova në NATO
– Dinjteti dhe kushtet e ushtarëve të FSK-së
– Ruajtja dhe promovimi i vlerave të UÇK-së
“Shërbimi për Atdheun nuk përfundon me uniformën. Ai vazhdon çdo ditë, me të njëjtin betim në zemër”, përfundon Hazrolli. /ORAinfo/