LDK: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, kujtohet si moment kthese i rrugëtimit të Kosovës

13:00 | 02 Korrik 2024
ldk:-deklarata-kushtetuese-e-2-korrikut,-kujtohet-si-moment-kthese-i-rrugetimit-te-kosoves

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se data 2 korrik e vitit 1990, shënon gurthemelin e shtetësisë së Kosovës, ngjarjen e veçantë të vendit në rrugëtimin historik e politik drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, Deklarata Kushtetuese.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike.

“Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta e çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë. Në këtë datë të rëndësishme, shprehim mirënjohjen tonë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, për guximin në atë kohë me kushte shumë të rënda, në artikulimin e vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi”.

“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, kujtohet si moment kthese i rrugëtimit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe në miqësi të përhershme me ShBA-të”, thuhet në reagim.

Komento: