
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj ekspozitës mbi luftën e Kosovës, duke e cilësuar përmbajtjen e saj si “skandaloze dhe thellësisht të papranueshme”. Në reagimin për media, LDK shkruan se ajo “përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre”.
Sipas LDK-së, “Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën”. Në reagim thuhet më tej se ajo “është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare”, ndërsa “çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës”.
Partia opozitare e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që, sipas saj, “një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës”. LDK thekson se “Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional”, duke shtuar se “Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet”.
Në të njëjtin reagim, LDK ka shprehur “mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale” dhe ka bërë thirrje që “ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme”.
https://www.facebook.com/LDKzyrtare/posts/1471411951020886?ref=embed_post