Uran Ismaili ka tentuar të sqarohet në lidhje me akuzat që po i bëhen për falsifikim.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili përmes një deklarate për media ka thumbuar neuropsikiatrin Jusuf Ulaj, i cili e kishte akuzuar Ministrin e Shëndetësisë për falsifikim.
Ulaj i cili është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje kishte shkruar se ishte Hashim Thaçi, atë herë në postin e kryeministrin që i kishte shfuqizuar dy vendime të Qeverisë duke hapur rrugë për ndërtimin e spitalit, ndryshimit të ligjit dhe legalizimit të spitalit privat.
Por Ministri i Shëndetësisë është deklaruar se Vetëvendosje po e mbron LDK-në e cila ka përfunduar licensimin e këtij spitali në vitin 2015.
“ ’Afera Spitali’, e nisur në vitin 2003, në Komunën e Prishtinës, nga zyrtarët më të lartë të LDK-së dhe e përfunduar me licencimin e këtij spitali në vitin 2015 nga qeverisja e LDK-së, sot mori një amnisti nga Partia Vetëvendosje.
Në kohën kur janë marrë vendimet që kanë mundësuar licencimin e këtij spitali, të dy këto institucione, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë qenë nën qeverisjen e PDK-së, por nën qeverisjen e LDK-së dhe të Vetëvendosjes”.
Ismaili është shprehur se partia e Albin Kurtit është vënë nën komandën e Isa Mustafës.
“Tentimi i sotëm nga Vetëvendosje për ta shfajësuar LDK-në dhe vendimet e Ismet Beqirit e Sami Hamitit nga “Afera Spitali” tregon edhe një herë qartazi se partia e Albin Kurtit është vënë nën komandën e Isa Mustafës, kundër të cilit Vetëvendosje kishte deponuar 72 dosje me pretendime për korrupsion”.
Duke i akuzuar partitë opozitare, Ministri i Shëndetësisë ka thënë se Vetëvendosje ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, ashtu siç e ka udhëhequr LDK Ministrinë e Shëndetësisënë vitin 2015.
“Partia Vetëvendosje ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, ashtu siç e ka udhëhequr LDK Ministrinë e Shëndetësisë, pikërisht në vitin 2015. Cilat veprime apo mosveprime e kanë mundësuar finalizimin e këtij projekti që ka ngritur kaq shumë dyshime për korrupsion. Pse ka mbetur i heshtur ky rast deri tash kur e ngritëm ne si çështje”
Ismaili ka thënë se është evidente që LDK dhe Vetëvendosje tash reagojnë për ta mbrojtur njëra-tjetrën dhe për të krijuar huti, vetëm pas kërkesës së qartë të PDK-së për hetimin e plotë të këtij rasti dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës. Por, të gjithë le ta kenë të qartë se ne nuk do të pushojmë deri sa drejtësia të thotë fjalën përfundimtare për “Aferën Spitali”.