LDK dhe VV nuk po mund të arrijnë marrëveshje për koalicion.
LDK i tha edhe njëherë jo Vetëvendosjes për një koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 6 tetorit – por ky nuk është refuzimi i parë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj partie, thirrjet ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës i kishin filluar qysh pak minuta pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
“Jemi të interesuar ta krijojmë paraprakisht një subjekt qe e kthen shpresën në Kosovë dhe formon një efekt sinergjik që edhe dalja të jetë masive dhe jo vetëm një fitore e madhe”, tha Kurti në atë konferencë pas dorëheqjes së Haradinajt.
Lutjet publike të Vetëvendosjes për koalicion parazgjedhor s’i bëjnë përshtypje LDK-së
Mirëpo, thirrjet e vazhdueshme të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut dhe zyrtarëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, si Glauk Konjufca e të tjerë nuk bënë punë – LDK refuzoi vazhdimisht.
U zhvilluan takime të shpeshta në mes kryetarëve të të dy partive dhe zyrtarëve të tjerë si Lutfi Haziri, Avdullah Hoti nga LDK, Glauk Konjufca dhe të tjerë nga Vetëvendosje – por nuk po pajtoheshin në një pikë – posti i kryeministrit.
Lëvizja Vetëvendosje në njërën anë ishin të vendosur se kjo pozitë i takon liderit të tyre e në anën tjetër LDK pas zgjedhjeve të brendshme, vendosi Vjosa Osmanin si kandidate konsensuale për kryeministre – gjë që nuk i pëlqeu aspak Vetëvendosjes.
Madje, nga Vetëvendosje thanë se LDK do të duhej të konsultohej me ta përpara se të vendosnin Vjosa Osmanin si kandidate – gjë që shkaktoi reagimin e zyrtarëve të LDK-së.
Por sot, lideri i Vetëvendosjes e bëri edhe një hap më tutje, ai i propozoi LDK-së të shkojnë në zgjedhje me listë të përbashkët – pa kandidatë të përcaktuar për kryeministër, që do të vendosej pas rezultatit të zgjedhjeve.
Këtë Kurti e bëri me letër të hapur publike, por që rreth një orë pas u refuzua nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa – njëlloj, me letër publike.
LDK këtë mënyrë të shkuarjes në zgjedhje e cilësuan si garë brenda koalicionit ndërmjet atyre dhe Vetëvendosjes dhe jo garë rreth partive të tjera.
Ndërkohë, kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani u ka kërkuar Vetëvendosjes të ndryshojnë qasjen dhe të pranojnë ofertën e partisë së saj.
Mbetet të shihet sonte deri në ora 00:00 e që është afati i fundit për zyrtarizim koalicionesh, nëse do të ketë koalicion parazgjedhor midis LDK-së dhe VV-së ose partive të tjera.