LDK i reagon deputetit të AAK-së i cili e quajti Isa Mustafën ‘xhenaze vertikale të politikës’

11:48 | 23 Janar 2019

Partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot përmes një komunikate për medie pas deklaratave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, ku ky i fundit e ka quajtur Isa Mustafën “xhenaze vertikale politike”. Këto deklarata Berisha i ka bërë gjatë një emisioni në një television kombëtar.

“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.

Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Këto deklarata nga LDK’ja i kanë cilësuar si kërcënime ndaj Isa Mustafës, ndërkaq, kanë shkruar se LDK dhe Kosova kanë përjetuar mjaftueshëm xhaneze për arsye politike.

“LDK konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënoj kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik.

LDK dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale.”
Berisha ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”.

“As hair, e as dëm s’mund të bëjë”, është shprehur më tej Berisha.

Ai është shprehur se Mustafa nuk ka të drejtë të kritikojë qeverisjen e Ramush Haradinajt, duke vlerësuar se Kosova nuk ia ka parë aspak hairin qeverisjes së Mustafës në vend.

Komento: