LDK-ja dhe VV-ja shtyhen për vend të parë, PDK-ja dhe AAK-ja për vend të tretë

15:05 | 06 August 2019

Instituti i njohur slloven shkruan se LDK dhe Vetëvendosje shtyhen për vend të parë, ndërsa PDK dhe AAK për vend të tretë.

Instituti i njohur slloven, IFIMES, që analizon gjendjen në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, ka shkruar një shkrim për situatën në Kosovë pas zhvillimeve të fundit që ka të bëjë me dorëheqjen e Ramush Haradinajt dhe zgjedhjet e parakohshme, duke parashikuar se për vend të parë janë duke luftuar LDK-ja dhe VV-ja, derisa për vend të tretë AAK-ja dhe PDK-ja.

IFIMES shkruan se situata aktuale në skenën politike dhe orientimi qytetar shkon në favor të Vetëvendosjes e cila udhëheq lehtë para Lidhjes Demokratike të Kosovës përderisa partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë duke garuar për vendin e tretë. Lojtari i pestë që mund të hyjë në Parlamentin e ri të Kosovës është Nisma, shkruan IFIMES. Partitë tjera politike në bazë të të dhënave të këtij instituti nuk mund ta kalojnë pragun prej 5 përqind.

Duke rikujtuar se minoriteteve sipas Kushtetutës u jepen 20 ulëse në parlamentin 120 anëtarësh, IFIMES shkruan se mbështetjen më të madhe sikur edhe para zgjedhjeve tjera parlamentare, sipas sondazheve, e gëzon Albin Kurti si kandidat për kryeministër. Por aty thuhet se ende ekziston rreziku që zgjedhjet e reja të parandalohen pasi dy partitë në qeverinë në largim, PDK dhe AAK, do të jenë humbës të këtyre zgjedhjeve.

Komento: