LDK-ja kundërshton shtrenjtimin e energjisë elektrike: Vendim i papranueshëm

20:38 | 28 March 2025
ldk-ja-kundershton-shtrenjtimin-e-energjise-elektrike:-vendim-i-papranueshem

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatë të thellë dhe kundërshtimin e pakompromis ndaj paralajmërimit të fundit të ZRrE-së për rritjen 15% të çmimit të energjisë elektrike.

Sipas LDK-së, kjo përbën rritjen e tretë të çmimeve gjatë mandatit të kësaj Qeverie, e cila ka dëshmuar paaftësi të theksuar në menaxhimin e sektorit energjetik dhe në mbrojtjen e interesit publik.

“Ky vendim i papranueshëm është dëshmi e qartë e mungesës së ndjeshmërisë sociale dhe politike të këtij pushteti, i cili në vend të ndihmës për qytetarët, po i godet ata sistematikisht me rritje të kostos së jetesës. Në katër vitet e fundit, qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me inflacion të lartë, me ngritje çmimesh në të gjithë sektorët jetikë, ndërkohë që pagat kanë stagnuar dhe fuqia blerëse është rrënuar.

Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike është jo vetëm e padrejtë dhe e pajustifikueshme, por dhe e dëmshme për interesin e përgjithshëm. Për më tepër, kjo Qeveri po e përdor ZRrE-në si instrument për t’ua imponuar qytetarëve koston e dështimeve të saj qeverisëse dhe mungesës së vizionit për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

LDK e konsideron këtë rritje të çmimit si goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor të qytetarëve. I bëjmë thirrje ZRrE-së që të mos bëhet vegël e politikave të gabuara të pushtetit dhe të rikthehet në funksionin e saj të vërtetë: mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe transparent të energjisë.

Kosova meriton një qeverisje kompetente dhe me vizion, jo një pushtet që e trajton popullin si barrë. LDK do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe do të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike çdo politikë që rëndon padrejtësisht mbi ta”, thuhet në reagim zyrtar.

Komento:
loading