LDK-ja nuk e pranon ftesën e Veseli për Dialogun

12:07 | 21 December 2018

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përgjigjet ftesës së kryeparlamentarit Kadri Veseli për diskutime rreth Dialogut.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se koalicioni qeveritar më herët nuk ka pranuar të zgjidh ngërçin për çështjen e dialogut.

“Ekipi dialogues ka marrë vetëm 59 vota që nuk përbëjnë shumicën e thjeshtë”, ka thënë Hoti.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të Avdullah Hotit në konferencën për media

Legjitimiteti për të udhëhequr me vendin nuk fitohet me tryeza politike.

Ftesa e z. KadriVeseli është përpjekje për të fituar legjitimitetin e munguar të koalicionit PAN për të udhëhequr me Kosovën.

Si rezultat i mungesës së legjitimitetit, sot Kuvendi i Kosovës mblidhet për të votuar pikat e diskutuara në 11 seanca plenare, duke filluar nga seanca e datës 13 shtator 2018.

Praktikisht, asnjë seancë e rregullt në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës nuk është mbyllur në mënyrë të rregullt.

Kjo pra është mungesa e legjitimitetit.

Ne i kemi dhënë mundësi koalicionit PAN që, përmes katër tryezave të partive politike në pjesën e partë të këtij viti, të dakordohemi për dalje nga kriza institucionale.

Por, arroganca e koalicionit PAN e ka pamundësuar gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e krizës.

Në javën që lamë pas, kemi parë një përpjekje për të arnuar koalicionin PAN me votat e PSD-së, që në fakt janë vota të fituara nga një parti tjetër.

Ekipi dialogues ka marrë vetëm 59 vota, që nuk përbëjnë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, ta kenë të qartë se dialogu nuk mund të udhëhiqet as nga partia e shtatë në Kuvendin e Kosovës, dhe as nga ata me mandate të huaja në Kuvend.

Dialogu nuk udhëhiqet me platformë apo ligj që tejkalon Kushtetutën.
Ne jemi duke bërë dialog për të ribërë shtetin e Kosovës.

Platformë dhe ligj për dialog është Kushtetuta e Kosovës.

Ndërkaq, ekip i dialogut është Qeveria legjitime, me rolin kyç mbikëqyrës të opozitës dhe të shoqërisë civile.

Më lejoni të theksoj edhe një herë se z. Veseli dhe z. Haradinaj duhet të pranojnë se nuk kanë fuqi për të udhëhequr me institucione.

Mbi këtë bazë të mblidhemi të gjitha partitë politike parlamentare për tu dakorduar për dalje nga kriza.

Vetëm atëherë ne mund të marrim pjesë në tryezë.

Ndryshe, ne jemi opozitë.

Ne do të luajmë rolin e opozitës mbi bazën e kushtetutës, një opozitë e fuqishme në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

Komento: