Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë për krizën energjetike me të cilën po përballen qytetarët e bizneset tash e disa ditë.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Visar Azemi, ka mbajtur konferencë për media dhe ka thënë se këto reduktime dhe kjo mungesë e energjisë elektrike, janë pasojë e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofrojë zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike.
“Partia në pushtet, e cila zgjedh që edhe mërgimtarëve t’iu urojë mirëseardhje në terr, ka hequr dorë nga përgjegjësia për ofruar zgjidhje për krizën energjetike. Madje, secilin vit qeverisës të tyre, qytetarëve i’u është rritë çmimi i energjisë elektrike. Pra, dyfishim i faturave për qytetarët e çmim mbi 100% më i shtrenjtë i energjisë”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, Qeveria për 4 vjet ka treguar që nuk as vizion e as plan sa i përket zgjidhjes së problemit të energjisë elektrike.
“Madje, ka vendosur njerëzit më jo-profesional në udhëheqjen e institucioneve të sektorit të energjisë, për ti dështuar ato dhe për ta degraduar tërë këtë sektor shumë të rëndësishëm për vendin”, ka thënë Azemi.
Azemi thotë se plani i LDK-së për ndërtimin e termocentralit modern me gaz, ofron zgjidhjen e kësaj krize.
“LDK ka planin për zgjidhjen e përhershme të kësaj krize. Kemi ripërsëritur se mungesa e energjisë elektrike eliminohet vetëm me ndërtimin e termocentarlit të ri me gaz, projekt që është në planprogramin e LDK-së dhe do të fillojë së zbatuari menjëherë pas ardhjes në pushtet.
“Janë bërë disa ditë, e kjo gjendje po na përsëritet çdo vit për fat të keq. Po kemi probleme serioze të furnizimit me energji elektrike. Këto reduktime dhe kjo mungesë e energjisë elektrike janë pasoja të paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie që të ofrojë zgjidhje për furnizim të rregullt me energji elektrike”, tha Azemi.