LDK-ja zbulon çka u bisedua në takimin Kurti-Mustafa – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

LDK-ja zbulon çka u bisedua në takimin Kurti-Mustafa

12:50 | 22 Maj 2019

Në orët e para të mëngjesit është zhvilluar një takim mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kryetar i LDK-së, Isa Mustafa në mëngjesin e sotëm u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN.

“LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Rrjedhimisht, LDK vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

“z. Mustafa dhe z. Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet. Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme”, thuhet tutje në komunikatë. LDK-ja thotë se, në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit.

Komento: