Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se partia e saj në vazhdimësi ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe se kjo duhet të ndodhë për t’i hapur rrugë hetimeve të drejta.
Reagimi i saj u bë shkas nga një, siç tha ajo pas raportimit nga një gazetë sllovene gjatë ditës së djeshme.
“Mbrëmë, një gazetë e njohur sllovene publikoi një shkrim, me akuza të rënda për Kryeministrin e Kosovës dhe ambasadorin Martin Berishaj. Së pari, Zyra e Kryeministrit duhet të japë një sqarim të mirëfilltë për këtë temë. Dhe, së dyti—ajo që e kemi thënë që në fillim: shkarkimin e Ambasadorit Berishaj. LDK ka kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e ambasadorit në fjalë, i cili nuk duhet të lirohet nga detyra vetëm për hir të aktit, por sepse ky shkarkim do t’i hapte rrugë hetimeve të drejta e pa ndërhyrje. E ndërkohë, pozicioni i mundëson atij pushtet dhe ndërhyrje! Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë pse po fshiheni?!”.
Halimi thotë se vendosja e drejtësisë edhe në rastin e ambasadorit Berishaj s’duhet t’i pengojë Vetëvendosjes, e cila drejtësinë e pati edhe në slogan të fushatës.
“E kemi thënë dhe i qëndrojmë prapa asaj se imazhi i shtetit të Kosovës nuk duhet të mbetet peng i një ambasadori. Atyre që erdhën në pushtet me parullën “punë dhe drejtësi”, nuk duhet t’u pengojë që drejtësia të ketë punë me ‘njeriun e tyre’. Republika e Kosovës është mbi gjithçka, mbi secilin ambasador e politikan!”, ka shkruar ajo.