Lidhja Demokratike e Kosovës prezantoi listën e kandidatëve për deputetë e cila është certifikuar nga ana e KQZ-së. Vihet re një ndryshim në listë që është ai i Hakit Raqit i cili tashmë është zëvendësuar.
Raqi ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për korrupsion gjatë kohës që shërbente si zyrtar i Komunës së Obiliqit dhe së bashku me dy zyrtarë të tjerë të akuzuar patën bërë marrëveshje për pranim të fajësisë.
Vendin e Raqit në listën e LDK-së e ka zënë Qibrije Hoxha e cila konfirmoi se është përfshirë në listë me propozimin e kryetarit të partisë, Isa Mustafa.
Ajo premtoi se do të angazhohet edhe më tutje në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
“Kam shpresë se do të mund ta bind elektoratin LDK-së, në Kosovë dhe jashtë me çështjet konkrete me të cilat do ta ndihmoj me përkushtim dhe seriozitetin më të madh Kosovën, në Kuvendin e Kosovës. Shpresoj se me angazhimet e mia për Kosovën, në partinë politike më demokratike në Kosovë dhe jo vetëm – Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj e deri më sot, kam dëshmuar se e kam dhënë kontributin tim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me shumë përkushtim dhe pa menduar asnjëherë për interesin tim personal”, tha Hoxha.