
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe të shkëputura nga realiteti aktual politik dhe institucional në vend.
Në një komunikatë për media, LDK vlerëson se vazhdimi i masave po prodhon pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe po dëmton funksionimin e institucioneve shtetërore. “Këto masa nuk po ndëshkojnë politikanët, por po dëmtojnë Kosovën dhe qytetarët e saj”, thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, një numër i madh projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara, duke ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e shërbimeve publike. Partia thekson se një nga kushtet kryesore të vendosura nga BE-ja, transferimi i pushtetit lokal në komunat veriore, tashmë është përmbushur.
LDK i bën thirrje Bashkimit Evropian që të rishqyrtojë vendimin dhe të heqë plotësisht masat ndëshkuese, “në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit”.
Në komunikatë njoftohet gjithashtu se kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, dr. Lumir Abdixhiku, i ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete për Kosovën në rrugëtimin e saj evropian.