LDK nuk i shkon Kurtit në takim të premten: Ai duhet të raportojë në Kuvend.
Pas takimit të së mërkurës me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Albin Kurti ka dërguar një ftesë në adresë të partive opozitare të cilave iu ka kërkuar takim për të premten.
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express bën me dije se nuk do të shkojnë në takimin e ftuar nga kryeministri. Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi për Express ka thënë se Kurti duhet të raportojë në Kuvendin e Kosovës për këtë çështje.
Halimi ka thënë se në Kuvend LDK-ja do të ritheksojë qëndrimet e saja.
“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, tha ajo.
Halimi tha se për LDK-në “marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke”.
“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, ka thënë Halimi.
Lidhur me këtë takim, AAK ka deklaruar se do ta takojë Kurtin, ndërsa PDK ka thënë se do të presin detaje nga Zyra e Kryeministrit pastaj do të vendosin nëse do të shkojnë.