Përfundon takimi i krerëve të LDK-së, çfarë u diskutua për më shumë se dy orë?
Pas më shumë se dy ore, ka përfunduar takimi i thirrur nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa me anëtarët e kryesisë së kësaj partie.
Para mediave, nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri ka deklaruar se janë dakorduar për dy çështje, për rënien e Qeverisë e për procesin e brendshëm zgjedhor.
“Kryetari i LDK-së, ka konsultuar udhëheqjen e ngushtë për dy çështje: Rënien e Qeverisë nga java e ardhshme do të fillojmë diskutimet me kryesinë e Kuvendit, që të shkohet drejt shpërbërjes”, tha ai, duke shtuar se çështja e dytë është sa i përket procesit të brendshëm zgjedhor që do të finalizohet të shtunën me tre gusht kur edhe do të zgjidhët kreu i LDK-së.
Haziri ka shtuar se emrat që do të kandidojnë për kryetar të partisë do të bëhen publikë të shtunën, sipas rregullores së LDK-së, teksa ka theksuar se deri më tani nuk kanë marrë ftesë nga presidenti për t’u dakorduar për punën e zgjedhjeve.
Ndërkohë, zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka konfirmuar se takimi ka përfunduar duke mos dhënë komente për përmbajtjen e takimit.