LDK kërkon nga Qeveria plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
Lidhja Demokratike e Kosovës në një reagim publik është shprehur e shqetësuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
Teksa sulmet në veri ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it i ka quajtur të papranueshme, LDK ka kërkuar nga Qeveria plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
“LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Reagimi i plotë i LDK-së:
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen e sigurisë në veri të vendit.
Sulmet ndaj institucioneve të Republikës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe barrikadimi dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cënojnë rendin kushtetues të Republikës prandaj si të tilla ato janë të papranueshme. LDK-ja i dënon ashpër këto veprime dhe kërkon që autorët e sulmeve të sillen para institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.
LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë.
LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri. Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë.