LDK: Rruga Gjilan-Ferizaj, dëshmi e dështimit të qeverisjes qendrore e lokale

13:38 | 28 March 2025
ldk:-rruga-gjilan-ferizaj,-deshmi-e-deshtimit-te-qeverisjes-qendrore-e-lokale

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka hedhur kritika ndaj qeverisjes qendrore, por edhe asaj lokale.

Përmes një reagimi dërguar mediave, kjo parti thotë se punët e tyre shihen më së miri në punimet në rrugën Gjilan-Ferizaj, rrugë e cila është dëmtuar dukshëm kohëve të fundit, dhe e cila ka disa muaj që është përuruar.

“Pamjet nga magjistralja Gjilan-Ferizaj, e cila u përurua vetëm disa muaj më parë, janë dëshmi e papërgjegjësisë dhe dështimit të qeverisjes aktuale. Miliona euro nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për një rrugë që sot është e shkatërruar dhe e pakalueshme, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe duke dëshmuar mungesën totale të cilësisë dhe llogaridhënies në menaxhimin e projekteve publike”.

“Ky projekt është devijuar dhe deformuar. Financimi ka qenë nga BERZh si grant për qytetin e Gjilanit dhe banorët e tij. Revidimi i rrugës, që dëmton interesin e projektit dhe të banorëve, tashmë është i dukshëm dhe i prekshëm”, ka thënë LDK-ja në këtë reagim.

Dega e kësaj partie në Gjilan ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente dhe një hetim të menjëhershëm për, siç e quajnë, “këtë skandal të keqpërdorimit të parasë publike”.

“Mos t’i ikin përgjegjësisë ata që me pompozitet reklamuan përfundimin e këtij projekti”, tha LDK-ja.

Partia në fjalë ka kërkuar nga organet e drejtësisë dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë “për të ndëshkuar ata që kanë lejuar këtë dështim dhe për të garantuar që investimet publike të jenë të qëndrueshme dhe në dobi të qytetarëve”.

Ndërkaq, për këtë çështje, ditë më parë ka reaguar Komuna e Gjilanit, duke thënë se ky projekt është kompetencë e Qeverisë Qendrore dhe financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)./Periskopi/

Reagimi i plotë: 

Komento:
loading