LDK-së i del ‘gjumi’, reagon për agjentin e BIA-s që e kishte këshilluar Thaçin

15:49 | 22 June 2019

Gjatë javës së kaluar mediat në vend kanë raportuar se si presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte punësuar për këshilltar të tij, Bratislav Nikolicin, një agjent të BIA-s serbe.

Pas raportimeve kishte reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjuca, i kishte bërë thirrje kryeministrit, Ramush Haradinaj, që për një skandal të tillë duhet të thirret një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

E duke e parë gjithë këtë, Hashim Thaçi, kishte vendosur që ta shkarkonte serbin që e kishte këshilluar për tre vite me radhë, me arsyetimin se nuk kishte pasur informacione paraprake rreth të kaluarës së tij.

“Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare. Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikolic”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga zyra e Thaçit më 19 qershor.

Ndërkohë janë dashur që të kalojnë katër ditë, që për një skandal të tillë që ndërlidhet me institucionin më të lartë të shtetit, të reagojë partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës që drejtohet nga Isa Mustafa.

Ky reagim i vonshëm i tyre mbase ka ardhur pas kalkulimeve të shumta, pasi që sipas informacioneve të Gazetë Express, Isa Mustafa gjatë kohës sa kishte qenë kryeministër, Bratislav Nikolicin, e kishte propozuar për ta emëruar në një post në PTK.

Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, ka zgjedhur ‘facebookon’, për të reaguar ndaj një skandali të tillë.

Ai thotë se futja e një spiuni serb në zyrën e Presidentit është një veprim që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Emërimi i një spiuni serb si këshilltar i Presidentit paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij duket e çuditshme se si presidenti të mos ketë pasur informacione rreth këshilltarit të tij, kur dy ish-shefa të inteligjencës kosovare punojnë në zyre bashkë me Thaçin.

“Si ka mundësi që Presidenti nuk ka qenë në dijeni për të kaluarën e këtij personi kur dy ish shefa të AKI-së punojnë si këshilltarë të tij?! Ndërkaq, shefi aktual i AKI-së, që i përgjigjet edhe Presidentit, ka qenë Drejtor i Policisë kur ky person i sigurimit serb ishte burgosur nga Policia e Kosovës”, shton tutje Hoti.

Ndër të tjera ai thotë se Thaçi duhet të japë përgjegjësi se kush ia ka kërkuar emërimin e një personi të tillë si këshilltar.

“Por, përse Presidenti emëron një spiun serb në kabinetin e tij?! Kush ia ka kërkuar emërimin e këtij personi?! Për këtë Presidenti duhet të përgjigjet”, ka përfunduar Hoti.

Komento: