Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinajt, të gjitha partitë politike janë duke kërkuar shpalljen e datës së zgjedhjeve.
Por presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, sot i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Mirëpo ky veprim i Thaçit nuk e ka prekur shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se Presidenti ka të drejtë kushtetuese të veprojë në këtë formë.
“Ne e kemi parë si shfrytëzim të së drejtës Kushtetuese që e ka presidenti i Republikës. Ai u është drejtuar partnerëve të koalicionit. Nuk ka të bëjë me LDK-në. Në këtë fazë do të sillemi me kulturë institucionale”, ka thënë Haziri, duke shtuar se koha është për zgjedhje të parakohshme.