
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike ka pritur në takim përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kanë konfirmuar se do të hetojnë rastin me njehësorë që ka paraqitur kjo parti.
Petrit Pepaj, drejtor menaxhues i ZRRE tha se do të bëjnë çdo hetim për të parë se a ka parregullësi në njehësor.
” Çdo të dhënë që është konstatuar dhe verifikuar, KEDS-i bashkë me KESCO-n do të jenë të obliguar t’i zbatojnë ato konstatuime. Përsa i përket kalibrimit, kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që shpresojmë që do të marrin hapa edhe ata. Në bazë të rezultateve që do të nxjerrim ne, shkak se ne e kemi bërë një monitorim administrativ në anën tonë, në rast se konstatojmë se ka elemente të veprës penale, sigurisht që hapat do të jenë drejt Prokurorisë. Pra, ne si institucion, si rregullator, e kemi për detyrë me mbrojt konsumatorin për shkak se konstatojmë se ka shkelje, që besojmë edhe ne, duhet me besu edhe ata. Tash jemi duke punuar në këtë drejtim, në bazë të analizave tona, të gjeturave që kemi mbledh deri më sot. Ju garantoj që çdo shqetësim që keni pasur si publik, do t’i adresojmë te Bordi dhe pastaj është Bordi ai që merr vendim”, tha Pepaj.
Visar Azemi nga LDK tha se shqetësimet rreth njehësorëve do të përcjellen tek bordi i ZRRE i cili ka lejuar keqpërdorimin.
“Unë me të vërtetë them që ky Bord i ZRRE-së ka lejuar këtë keqpërdorim dhe këtë keqllogaritje të KEDS-it. Edhe unë nuk ju drejtova juve në emër personal, por bordit, sepse ju jeni staf profesionist, të cilët e bëni punën tuaj mirë. Por, meqenëse Bordi nuk na takoi, atëherë ju me siguri që i përcillni shqetësimet tona dhe mesazhet tona te Bordi. Këtë dosje unë po e lë këtu te ju. Ne nuk kemi me u ndalë. Nuk do të ndalemi, do të kërkojmë llogari edhe njëherë nga ministria, do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë Speciale, do të drejtohemi në secilën adresë ku janë organet të cilat kanë me kërku përgjegjësi ndaj këtij skandali të madh. Dhe kështu me radhë, të mbrojmë interesin e qytetarit deri në fund. Prandaj, unë ju falënderoj, këto po i lë këtu me juve dhe për hapa të tjerë”, tha Azemi./eo