Leao i refuzon dy klube, Milani shpreson te oferta e opsionit të tretë

14:35 | 25 Gusht 2026

Afati kalimtar i verës ka hyrë në javën e fundit, ndërsa njëri prej emrave më të përfolur të kësaj merkatoje vazhdon të jetë Rafael Leao.

Milani, tashmë nuk është sekret, do të ishte i gatshëm ta shiste sulmuesin portugez gjatë këtij afati kalimtar, por për momentin janë disa pengesa që duhet të tejkalohen.

E para lidhet me vlerësimin që Milani i ka bërë lojtarit. Klubi italian nuk ka ndërmend ta shesë lirë numrin 10, shkruan “Tuttomercatoweb”.

Megjithatë, pengesa kryesore aktualisht lidhet me vetë Leao, i cili tashmë ka refuzuar disa destinacione, pavarësisht përpjekjeve të menaxherit të tij, Jorge Mendes, për të gjetur një zgjidhje.

Rafael Leao, siç ishte raportuar edhe javën e kaluar, kishte refuzuar një transferim te Aston Villa.

Megjithatë, me shpresën se lojtari mund të ndryshonte mendje, Milani u ul në tryezën e negociatave me klubin anglez. Palët, megjithatë, nuk arritën marrëveshje dhe kjo pistë tashmë është ftohur.

Kontaktet mes dy klubeve nuk sollën marrëveshje sa i përket kostos së operacionit, ndërsa Aston Villa po tërhiqet nga gara për sulmuesin e Milanit.

Përveç kësaj, Leao ka refuzuar edhe ofertën e Al Hilalit të Simone Inzaghit. Klubi saudit më pas u orientua fillimisht drejt Conceicaos dhe më pas drejt Martinellit.

Ideja e Leaos mbetet e njëjtë: të qëndrojë te Milani, me të cilin ka edhe dy vite kontratë, ose të transferohet te Galatasaray.

Për këtë mundësi të fundit ka zhvillime të reja. Klubi turk është tashmë i gatshëm ta rrisë ofertën, ndryshe nga ajo që kishte bërë të ditur ditët e fundit.

Galatasaray është gati të ofrojë 40 milionë euro, plus disa bonuse të vogla.

Kjo shifër nuk po e bind plotësisht Milanin, por me vetëm një javë të mbetur nga mbyllja e afatit kalimtar, gjithçka mund të ndodhë.

Komento: