Rafael Leao e ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur “ESPN”, duke folur për eksperiencën e tij në Milan dhe për objektivat që i ka me klubin dhe ato individuale.
Ylli portugez po i kalon ditët e fundit të fazës përgatitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa është i gatshëm që të jetë protagonist në një tjetër sezon me “Rossoneri”.
“Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar që ta arrij objektivin tim, që ishte ta fitoja Scudeddon, më kanë ndihmuar të rritem si lojtar. Tash ndihem më i pjekur, një lider i skuadrës. Klubi ma jep mundësinë ta fitoj çdo ndeshje të kampionatit. Mendoj se ky është klubi i duhur për të vazhduar me karrierën time që t’i arrij objektivat tjerë siç janë triumfi në Ligën e Kampionëve apo që ta fitoj Topin e Artë”, u shpreh sulmuesi i krahut.
“Cili do të jetë dallimi mes sezonit që shkoi dhe atij që po vjen? Mendoj se kemi më shumë opsione këtë vit, mbi të gjitha në sulm dhe në mesfushë. Në sezonin e kaluar nuk kishim aq shumë. Në sfidën e dyfishtë me Interin e kemi vuajtur faktin se ata ndryshuan shumë në ekip dhe kishin lojtarë në bankinë që ishin në gjendje të futeshin në lojë dhe ta bënin diferencën. Në këtë sezon drejtimi ka ndryshuar, klubi ka bërë përforcime të mëdha me Pulisic e Loftus-Cheek. Këta lojtarë do ta ngrisin nivelin e skuadrës dhe jam mjaft i lumtur që do t’i kemi me ne”, përfundoi Leao.