Në një video të publikuar në YouTube nga dyqani i porsahapur në Milano, Kick Game, Rafael Leao ka bërë shaka duke thënë se konkurrenca në Serie A është shumë e lehtë për të, por edhe se nuk i pëlqen moti në Londër.
Sulmuesi ka folur për përvojën e tij në kampionatin italian gjatë një videoje promovuese për dyqanin luksoz të atleteve dhe veshjeve të rëndomta.
Portugezi ka realizuar 36 gola në 147 paraqitje me Rossonerët dhe u shpall futbollisti më i mirë i sezonit 2021/2022 kur Milani u shpall kampion i Italisë pas pritjes prej një dekade.
“Më duket se është (Serie A shumë e lehtë për mua). Jam në Serie A dhe më parë kam qenë në Francë, viti i parë ishte i vështirë… Por, pastaj me disa aftësi… kur je më i shpejtë mund të krijosh dhe ta bësh dallimin. Viti i dytë ishte shumë më i mirë dhe pastaj u zhvillova shumë e më shumë”.
“Duhet t’i tregoj botës se çfarë mund të bëj, brenda dhe jashtë fushës”, ka deklaruar tutje sulmuesi.
Intervista ka prekur tema të ndryshme, në mesin e tyre edhe ndeshjen kthyese të Ligës së Kampionëve, të cilën Rossonerët e zhvillojnë kundër Tottenham Hotspur më 8 mars në Londër, ku Leao ka qenë së fundmi.
“Nuk më pëlqeu moti. Ishte hera ime e parë në Londër, shkova për shoping”, ka thënë ai.