Vendosja e stikerëve në targat KM të cilat qarkullojnë në veri të vendit, nga pozita po thuhet se ato për herë të parë po trajtohen si targa ilegale. Ndërsa opozita po e cilëson si legalizim i Serbisë në veri në Kosovës.
Qeveria e Kosovës, me marrëveshjen e fundit të Brukselit ka arritur marrëveshje me Serbinë, që përveç targave të automjeteve të Serbisë që hyjnë në Kosovë, stikerë t’u vendos edhe targave KM (Kosovska Mitrovica), të cilat janë në qarkullim ne pjesën veriore të Kosovës.
Marrëveshja për këtë pikë, nga zv.kryeministri Besnik Bislimi, po shihet si një vendim i qeverisë së Kosovës, që për herë të parë, targat KM të cilësohen si ilegale. Opozita në anën tjetër, këtë po e cilëson si legalizim të Serbisë në Kosovë.
E vërteta si çdo herë, duhet të jetë diku në mes. Trajtimi i njëjtë që qeveria e Kosovës, po iu bën targave KM dhe atyre të Serbisë, me të drejtë mund të thuhet se është legalizim i Serbisë në Kosovë, shkruan Reporteri. net.
Por në anën tjetër, këto targa nuk është se po fillojnë tani për herë të parë të përdoren në një pjesë të territorit të Kosovës. Ato edhe më parë janë përdorur në pjesën veriore të vendit.
Pra, problemi me targat në veri, e rrjedhimisht kontestimi i shtetit të Kosovës në atë pjesë të vendit, ka ndodhur në kohën e qeverive të mëparshme, e gjithashtu po ndodhë edhe tani gjatë qeverisë Kurti.
Targat serbe në veri të Kosovës, me apo pa stikerë në to, në këtë pikë, dëshmojnë një realitet, se deri tani, asnjëra qeveri nuk ka arritur të imponojë Republikën e Kosovës në atë pjesë të vendit.