
Alessandro Nesta, është kthyer përsëri në futbollin italian, por kësaj radhe si trajner.
Tashmë është zyrtare, Alessandro Nesta merr drejtimin e Frosinones në Serinë B. Ashtu sikurse pritej, ish-mbrojtësi italian, një nga më të mirët e historisë së futbollit, ka marrë përsipër të rikthejë këtë skuadër mes më të mirave të futbollit nga përtej Adriatikut.

Në njoftimin e Frosinones shkruhet:
“Frosinone komunikon se ia ka besuar drejtmin teknik të skuadrës së parë Alessandro Nestës. Trajneri i ri i verdhekaltërve ka firmosur kontratë dyvjeçare dhe do të prezantohet të mërkurën, në orën 11:30, në ambientet e stadiumit Benito Stirpe.”
Sezonin e kaluar Nesta ishte në krye të Perugias, duke e mbyllur sezonin në vendin e tetë, i fundit i zonës play off, por u eliminua nga Verona që në çerekfinale me rezultatin e thellë 4-1.