Puna e deputetëve të Kosovës nuk po vlerësohet pozitivisht.
Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës miratoi gjithsej 75 ligje.
Kjo legjislaturë prin me numrin e ligjeve të miratuara në krahasim me vitet e kaluara.
Por, puna e deputetëve nuk po vlerësohet edhe aq përmbajtësore nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Artan Murati nga IDK, thotë se kjo legjislaturë nuk ka pasur seriozitet.
Prandaj i jep një epitet interesant duke e vlerësuar si anemike.
‘’Nëse flasim në aspektin numerik legjislatura e gjashtë ka qenë në disa apekte më e mirë sesa të tjerat mirëpo këtu kemi të bëjmë vetëm me numra, d.m.th numrin e ligjeve të miratuara që vetëm gjatë viteve të kaluara Kuvendi kishte miratuar 75 ligje që është një shifër më e lartë sesa shifrat qysh nga viti 2014 mirëpo në anën tjetër nëse shohim përmbajtjen e punës atëherë ka qenë legjislaturë anemike, ka që legjislaturë që nuk ka pasur seriozitet”, thotë Artan Murati nga Insituti Demokratik i Kosovës.
E një problem tjetër që pati kjo legjislaturë ishte mungesa e kuorumit.
Kjo mungesë ka bërë që një numër i madh i seancave, të dështojnë.
E këtë neglizhencë dhe papërgjegjësi nga deputetët, e pranon edhe Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
‘’Unë them se Kuvendi nuk ka përmbushur mjaftueshëm objektivat e veta për shkak edhe të një bilanci që ka ekzistuar në votë sa i përket raportit pozitë-opozitë dhe shpeshherë në neglizhencë dhe e një papërgjegjësie prej deputetëve vet veç e veç, e që dikush ka kontribuar dobësimit të Parlamentit, prandaj qytetarët janë ata që vendosin se si duhet të jetë Parlamenti i ardhshëm i Kosovës”, deklaron Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamenta në AAK.
E këtë legjislaturë si një ndër më të dobëtat që kishte Kosova po e sheh edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla.
‘’Kjo ka qenë njëra ndër legjislaturat më të dobëta të Kosovës, fatkeqësia është më e madhe kur dihet se proceset do të duhej të ishin ndryshe, një Kuvend me më shumë përvojë, një Kuvend me një përbërje më ndryshe fatkeqësisht kjo nuk ishe e udhëhequr jashtëzakonisht dobët dhe keq’’, thotë Xhelal Sveçla, Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje
Për këtë periudhë Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm 10 seanca të rregullta, kurse 17 prej tyre ishin seanca të jashtëzakonshme.